Situata në veri, Blinkeni tregon nëse do të ketë rritje të trupave në Bondsteel
Si rezultat i tensioneve në veri të Republikës së Kosovës, NATO-ja ka vendosur për dërgim të një shtese prej 700 ushtarësh. Admirali i NATO-s Stuart Munsch, ka bërë me dije se edhe një batalion tjetër rezervë është vendosur në gjendje gatishmërie nëse do të jetë e nevojshme.
Por, a do të përfshijë kjo rritje e trupave të NATO-s edhe ushtrinë amerikane.
Sekretari amerikan, Antony Blinken është përgjigjur në këtë pyetje gjatë konferencës së sotme për media nga Oslo.
Ai ka thënë se ShBA-ja veçse ka trupa në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it dhe nuk mendon që do të ketë rritje të trupave amerikane në Bondsteel.
“ShBA-ja ka tashmë forca atje, si pjesë e misionit ekzistues. Shtesa që është bërë publike nga NATO-ja nuk mendoj që do të përfshijë forca shtesë amerikane. Por siç e thash atje ka tashmë forca amerikane si pjesë e NATO-s.”, ka thënë Blinkeni.
Më tutje, ai ka thënë se ajo që është më e rëndësishmja, është që palët të de-eskalojnë, të ndalojnë se bëri veprime të njëanshme dhe të kthehen në procesin e dialogut të drejtuar nga BE-ja. Blinkeni ka potencuar se kjo është ajo që ShBA-ja presin të shohin në ditët dhe javët në vazhdim.
“Më e rëndësishmja është që për palët të de-eskalojnë, të ndalojnë se bëri veprime të një anshme dhe të kthehen në dialogun e BE-së. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që kërkojmë fuqishëm nga palët të bëjnë. Këto janë pritjet tona për të parë në ditët dhe javët në vazhdim”, ka thënë Blinkeni.