Situata në veri, ish-ambasadori Dedaj u drejtohet me një letër ambasadorëve të Quintit

30 qershor 2023 | 11:38

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka bërë me dije se pas fillimit të takimeve me zyrtarë dhe diplomatë të vendeve të Quintit, ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, i është drejtuar me një letër ambasadorëve të këtyre vendeve të fuqishme mike dhe partnere të Kosovës.

“Përmes letrës sime kam shprehur shqetësimet për zhvillimet e muajve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, dhe tensionimin e rrezikshëm në këtë pjesë të Kosovës, të shkaktuara nga veprimet e pa matura dhe të pa koordinuara me partnerët Euro-Atlantik, të pushtetit të Kosovës, të cilat veprime kanë tensionuar dhe pershkallëzuar situatën e sigurisë dhe paqen në veri të Kosovës”, ka njoftuar Dedaj në “Facebook”.

Ai ka shkruar se moskoordinimi i veprimeve me aleatët dhe partnerët euroatlantik dhe dëmtimi i këtij partneriteti jetik dhe historik për Kosovën, nga qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet të parandalohet me veprime urgjente të cilat do të ulin tensionet dhe evitojnë rrezikun e përshkallëzimit të dhunës dhe konfliktit në Kosovë dhe rajon.

“Mes tjerash përmes kësaj letre drejtuar ambasadorëve të Quintit, kam theksuar nevojën e reflektimit të kryeministrit Albin Kurti, i cili duhet të heqë dorë nga dëmtimi i imazhit të Kosovës, dëmtimi i partneritetit me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n si dhe nga veprimet konfliktuoze dhe populiste, duke përmbushur zotimet e tij për implementimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës”.

“Ambasadoëve të Quintit ju kam paraqitur edhe një propozim 5-pikësh, mes tjerash edhe të një takimi urgjent eventual të kryeministrit Kurti dhe të presidentit Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me pjesëmarrjen e presidentit Joe Biden si dhe të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian. Po ashtu në këtë letër kam theksuar që kur behët fjalë për masat eventuale ndëshkuese ndaj Kosovës, ato të mos jenë kundër Kosovës dhe popullit të sajë, por kundër liderëve të Kosovës, si dhe atyre të Serbisë, të cilët me politikat e tyre të gabuara, nxitëse, provokuese dhe populiste, janë duke rrezikuar partneritetin Euro-Atlantik dhe paqen në Kosovë dhe më gjerë”, ka shkruar Dedaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua e moshës 67-vjeçare ka ndërruar jetë pasi dyshohet…