Situata në veri, kryediplomati austriak thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve janë të qarta
Ministëri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg, është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Në një prononcim për portalin serb të Kosovës, “Kosovo Online”, Schallenberg ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është jo stabile. Për këtë gjendje jo stabile, Schallenber e ka drejtuar gishtin nga Kosova, duke thënë se përgjegjësia tani bie mbi Prishtinës.
Ai ka vlerësuar se kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare janë të qarta.
“Pritjet e BE-së dhe Austrisë janë të qarta, posaçërisht drejtuar Kosovës, që janë ndërprerja e aksioneve të policisë rreth objekteve komunale në veri, të cilët duhet të sigurohen që kryetarët e kryejnë punën e tyre në lokacione të tjera dhe organizojnë zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, në të cilat presim pjesëmarrjen e serbëve në veri të Kosovës”.
“Status quo-ja nuk mund të mirëmbahet dhe Prishtina duhet të kuptojë që është e nevojshme të krijohet një situatë në të cilën të gjithë ndihen të sigurt”, ka thënë kryediplomati austriak.