Situata në veri, Kurti tregon për armët me të cilat Serbia provokoi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, ka takuar sot presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në konferencën e përbashkët për media, Kurti e ka njoftuar presidenten e KE-së edhe me llojet e armatimit që Serbia ka provokuar Kosovën, pasi qeveria ka vendosur zbatimin e masës se reciprociteti në targa me Serbinë.
“Gjithashtu e njoftova Presidenten e Komisionit Evropian, edhe me gjendjen në pikat kufitare 1 dhe 31, në pikat kufitare, pra, Bërnjak dhe Jarinje. Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa te vija kufitare, duke përfshirë edhe tankset ‘T-72’, automjete të blinduara ‘Lazar 3’ dhe automjete luftarake shumqëllimshme ‘BOV M16 MILOSH’, dhe përveç këtyre ka angazhuar edhe aeroplanë luftarak rus ‘MIG29’ dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia për fluturime gjatë kufirit”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se Serbia në njërën anë po merr fonde nga BE-ja, kurse në anën tjetër po armatoset nga Rusia.
“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina”, ka thënë Kurti.