Situata në veri, ‘VATRA’ kërkon përfshirjen e ShBA-së
Federata Panshqiptare e Amerikës – VATRA ka dënuar me forcë sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në veri të Kosovës.
“Kosova është shtet sovran. Çdo akt që cenon sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, institucionet demokratike, rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve në Kosovë, lirinë, të drejtën dhe pronën e qytetarëve në Kosovë do të dënohen me ashpërsinë më të madhe dhe refuzohen me përbuzje e neveri”, është thënë në reagimin e VATRA-s.
VATRA u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve në Kosovë për qetësi, maturi dhe unifikim.
“Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe shqiptaro-amerikanët i bën thirrje Departamentit të Shtetit Amerikan, Kongresit Amerikan, Senatit Amerikan, kancelarive perëndimore dhe shteteve që njohën pavarësinë dhe ndihmuan në konsolidimin e shtetin e Kosovës në mbarë botën, që të ndërhyjnë sa më parë për të goditur me ashpërsinë më të thellë barbarizmat serbo-ruse që vënë në rrezik jetën e qytetarëve në Kosovë, institucionet, integritetin territorial, paqen dhe sigurinë në Ballkan”, është thënë në këtë reagim.
Federata Panshqiptare e Amerikës – VATRA drejtohet nga Elmi Berisha.