![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/behxhet-shala-1.jpg)
Situata pat në shahun politik
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Maratona zgjedhore mbërriti në cak: Pasi u bënë të qarta exit-pollet, filloi të hiqet mjegulla. Realisht, exit-polli i projeksionit “Koha” ishte më i sakti dhe shumë i përafërt me rezultatet përfundimtare. Në shkrimet e mia kam parashikuar saktë renditjen e subjekteve politike sikur edhe rezultatet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-NISMA, kurse e kam huqur bukur shumë rezultatin e LV-së. Edhe sot mendoj se LV-ja nuk e ka merituar këtë rezultat dhe se ky rezultat është pasojë e mosrritjes së pritshme të LDK-së.
Nuk kam besuar se LDK -ja mbetet nën 21 për qind, minimumi sikur që kam besuar se AAK – ja duhet të fitojë minimalisht 10 për qind. Edhe për KF kam besuar se fiton prej 4 deri në 5.5 për qind. Në fillim pata besuar se mund ta kalojë pragun kurse më vonë jam ftohur nga kjo pritje për faktin se në Kosovë është një disponim antimysliman sikur edhe në botë. Për mendimin tim fituesi kryesor në këto zgjedhje është PDK-ja sepse e mori veten shpejtë ndonëse themeluesit i ka në burgun e Hagës ku po mbahen si pengje nga Gjykata Raciste Speciale, pastaj mori shumë pak vota në Gjakovë, Pejë, Gjilan dhe Podujevë, qendra më shumë vota. Humbës janë LDK-ja dhe LVV-ja kurse superhumbëse është Vjosa Osmani. Rezultatet janë këto që janë, i pëlqyen dikujt a jo. Po pse ndodhi kështu?
1. LV- ja në zgjedhjet e vitit 2021 mori mbi 50 për qind të votave dhe me partitë e shkrira, Guxo dhe Alternativa kishte mundësi të arta të bëjë punë të mira, jo aq në planin politik sa në atë ekonomik dhe social. LV-ja kishte shumë pushtet për ta mbushur me ekip cilësor prandaj futi “kucën dhe macen” në hapësira institucionale për të mos lënë vakum sipas sloganit komunist se: “nga sasia del cilësia”. Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë cilësie solli, më mirë t’i linte bosh ato hapësira, dëmi do të ishte më i vogël. LV-ja ishte arrogante me të gjithë ata që kishin mendim ndryshe sikur që kishte sjellje sadiste ndaj opozitës. E ngulfati debatin dhe e helmoi mjedisin familjar, shoqëror dhe institucional. Përçau shqiptarët në Maqedoni të Veriut, në Luginë të Preshevës, ndërsa në Shqipëri dështoi. Nuk pati investime kapitale, zhvillimi ekonomik ishte i improvizuar, ndërsa gjendja sociale po përkeqësohet dita-ditës. Veprimet në veri të Kosovës ishin të ligjshme dhe në përputhje me standardet e pushtetit lokal, por se u kundërshtuan nga ndërkombëtarët që na futën sanksionet dhe na izoluan. Albin Kurti fitoi më së shumti vota për “politikën e hekurt” në veri dhe kundërshtimit të Grenellit. Se ç’do të vjen nga Grenelli, nuk e di, por se pikërisht në veri të Kosovës do të detyrohet të bëjë lëshime më të mëdha, nuk kam asnjë dyshim . Lista Serbe fitoi zgjedhjet kurse në vjeshtë pushteti lokal do t’i kalojë serbëve lokalë.
2. LDK-ja duket se vetëm ambalazhimin e ka reformuar, brendinë e ka ashtëzuar. Kjo më së miri dëshmon pse i kanë humbur edhe bastionet që as që ka imagjinuar se mund t’i humbë. Nuk mblodhi mend nga përgjysmimi i votave në zgjedhjet e vitit 2021, mendoi se mund të sigurojë vota me varrin e Rugovës, me “filozofinë” rugoviane duke harruar se çdo gjë ka afat skadence. Nuk dha hapësirë të mjaftueshme për kuadro të reja dhe përjashtoi nga partia themeluesit e saj. Për këtë arsye humbi Podujevën dhe kuadro me peshë politike dhe kombëtare. Nuk arriti t’i kthejë votat e kontrabanduara të LV-së nga Vojsa Osmani dhe Donika Shvarc Zeza.
3. AAK-ja jam i sigurt se më mirë do të kalonte po të garonte e vetme se e shoqëruar nga grupime politike dhe intelektuale, me emër nga e kaluara, pa të tashme dhe një të ardhme fiktive. “Ardhacakët” kanë demotivuar anëtarët e kahmotshëm të AAK-së sepse i kanë rrezikuar. Nëse AAK-NISMA siguron 10 deputetë, mund të kapërdihet disi.
Koalicionet e mundshme: Të ne është me rëndësi se kush e ka pushtetin e jo kush ka më shumë deputetë. Prandaj të gjithë e lakmojnë. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u krijua një pat pozicion ku partia fituese nuk mund ta bëjë qeverinë e vetme, madje nëse nuk i siguron 51 deputetë nuk mund ta bëjë qeverinë as me deputetët joserbë në kohën kur LV-ja ka dhënë zotim publik se nuk e bën qeverinë me Listën Serbe. Uroj që këtë të mos ta ketë dëgjuar Mimoza Kusari, zemlakica e Milan Radoiçiq. Lista Serbe është parti e regjistruar në Kosovë, është parti parlamentare dhe paguhet nga buxheti i shtetit. Nuk shoh asnjë shkelje ligjore apo tradhti “kombëtare kosovare” nëse LV-ja apo cilido subjekt politik bën koalicion me partinë jashtëzakonisht të disponuar miqësisht me Limoza Kularin. LVV-ja plus minoritetet mund t’i ketë minimalisht 65 – 66 deputetë, kurse opozita shqiptare 54-55 deputetë. Albin Kurti apo Cezari i LV-së ka deklaruar se më parë kalon në opozitë se që bën koalicion me PDK-në, LDK-në dhe AAK – NISMA. Nuk kanë mbetur shumë mundësi. Nëse LDK-ja bën koalicion me LV-në pamëshirshëm do të bluhej nga kjo parti. LV-ja nuk do të kishte asnjë mundësi ta bluaj PDK-në. AAK – NISMA edhe mund të bëjnë koalicion me “tradhtarët” dhe patriotët.
Opozitës aktuale mbase materialisht i konvenon pushteti përmes hyrjes në koalicion, mirëpo politikisht do të dëmtohej shumë, mbase pariparueshëm. Opozita aktuale duhet të ndihmojë KM Kurti ta bëjë qeverinë pastaj të tërhiqet në opozitë. Formimi i qeverisë merr kohë, shumë varet nga bioritmi i Grenellit, Trampi nuk merret me këtë çështje. Opozita qysh tani duhet të fillojë përgatitjet për zgjedhjet lokale që mbahen këtë vit. Në shkurt të vitit 2026 edhe pozita sikur edhe opozita kanë mundësi të 100 përqindta të provokojnë zgjedhje të parakohshme gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit/ presidentes. Cilado qeveri që do të zgjidhej, do të kishte fare pak mundësi të bëjë punë të mira sikur që “bëri” LV-ja. Pas formimit të qeverisë, mbase me ndrikulla ndërkombëtare, vjen vera dhe pushimet e “merituara” pastaj fillon fushata për zgjedhje lokale, formimi i pushtetit lokal, pushimet e fundvitit dhe në fillim të vitit zgjedhja e presidentit/ presidentes.
Lejeni Albin Kurtin të merret me Grenellin dhe Trampin, po thotë se populli e do edhe për një mandat. Asnjë politikan i përgjegjshëm nuk do të dëshironte të përballej me situatën ku Kosova është krejtësisht inferiore dhe kur nuk pyetet asgjë.
Në rrethana normale, KM Kurti do të duhej të sillej përulësisht ndaj opozitës duke kërkuar të ndërtohej një konsensus kombëtar për proceset e ardhshme, shumë të vështira për Kosovën, por në rrethana kur është i rrethuar me intelektualë të profilit dhe rëndësisë ndërkombëtare, nuk ka nevojë për hajvanat e opozitës pasi paska ikur koha e hajvanatit! Merreni me mend që pastaj me këtë njeri të bëni koalicion. Albin Kurti duhet ta sqarojë opinionin se a është KM i të gjithë qytetarëve të Kosovës apo vetëm i “qytetarëve” të LV-së. Prandaj duhet të kërkojë falje publike, që nuk paraqet aspak dobësi apo ulje të autoritetit. Përkundrazi , vetëm e bënë më të pranueshëm.