Situata politike ka penguar reformën në administratën publike

30 mars 2021 | 12:17

Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka bërë që Kosova të ngecë në zbatimin e reformës së administratës publike.

Një  gjë e tillë Kosovës i ka kushtuar edhe me humbje të mijëra eurove nga BE-ja. Në konferencën për medie në të cilën është publikuar raporti i Lëvizjes FOL “Reformat e administratës publike në gjendjen e stagnimit”, është thënë se vetëm në vitin 2018 pati një punë të mirë në këtë drejtim.

Drejtoresha e FOL-it, Mexhide Demolli-Nimani gjatë prezantimit të këtij raporti, ka thënë se mungon vullneti politik për të zbatuar të gjitha synimet për reformën në administratën publike.

Ajo ka thënë se Kosova ka humbur mijëra euro për shkak të mos zbatimit të reformave.

“Lëvizja FOL nga muaji tetor e ka monitoruar zbatimin e kontratës për reformën e administratës publike. Objektivi i përgjithshëm i kontratës për reformën në administratë është të ndihmojë qeverinë në aspektin e llogaridhënies dhe transparencës. Kontrata e reformës sektoriale përmban objektiva të reformës që janë thelbësore për qytetarët dhe komunitetin e biznesit. Në vitin 2018 qeveria punoi mirë në arritjen në reformën e administratës publike. Viti 2019 ishte vit jo i mirë sa i përket reformave në administratën publike. Synimet e reformës të vitit 2020 u zhvendosën për vitin 2021, duke i dhënë një mundësi qeverisë së re që t’i sigurojë 5.5 milionë euro nga fondet e BE-së. Nuk ka vullnet politik për t’i zbatuar të gjitha synimet për reformën e administratës publike veçanërisht nga agjencitë”, ka thënë ajo.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës së bashku me…