Situatë alarmante në Evropë, viruset mbushin spitalet
Autoritetet shëndetësore në vendet evropiane kanë theksuar se rastet me viruese të gripit dhe infeksione të tjera virale të frymëmarrjes janë në rritje.
Tashmë ka një të mbingarkesës nëpër spitale, si në periudhën e pikut të rasteve të koronavirusit, ndërkohë që në disa zona po rikthehen edhe masat, si përdorimi i detyrueshëm i maskave në vende publike.
Urgjencat dhe repartet në spitalet italiane janë nën presion për shkak të rritjes së rasteve me grip.
Sipas të dhënave të organeve kompetente, ka një rënie të numrit të rasteve me koronavirus.
Megjithatë, diagnozat e gripit me komplikime të sistemit të frymëmarrjes dhe rastet me pneumoni vazhdojnë të rriten, jo vetëm tek pacientët e moshuar.
Javën e fundit rastet me Covid-19 ranë me 16%, por sipas shumë profesorëve të virologjisë, kjo rënie mund të jetë për shkak të numrit më të ulët të analizave të kryera gjatë pushimeve.
Që do të thotë se mund të shënohet një rritje e re në ditët në vijim.
Sa i përket urgjencës spitalore, shumica dërrmuese e pacientëve me simptoma dhe komplikime të ngjashme me gripin janë qytetarë të moshuar.
Nga Milano në Romë dhe Napoli, pritja për t’u vizituar tek një mjek disa herë i kalon katër orë.
Matteo Bassetti, shefi i sëmundjeve infektive në Spitalin San Martino në Xhenova, theksoi se ky është gripi sezonal më i keq i 20 viteve të fundit, për sa i përket shkallës së transmetimit. “I kishim paralajmëruar italianët, por shumë prej tyre preferuan të ishin të shurdhër”, shtoi Bassetti, duke iu referuar drejtpërdrejt atyre që nuk donin të vaksinoheshin.
Sipas shifrave të fundit, më shumë se një milion italianë janë infektuar me grip, ndonëse kulmi i rasteve, i cili pritet ndoshta brenda javës së ardhshme, ende nuk është regjistruar.
Pesë rajone spanjolle kanë njoftuar rivendosjen e masës për përdorimin e detyrueshëm të maskave në institucionet shëndetësore, pas një rritje të ndjeshme të rasteve të Covid-19 dhe gripit gjatë periudhës festive.
Në rajonin e Valencias shkalla e infeksioneve të frymëmarrjes u rrit në 1,501 raste për 100,000 banorë midis 26 dhjetorit dhe 1 janarit.
Krerët e autoriteteve shëndetësore në Valencia rekomanduan që qytetarët që shfaqin simptoma, si dhe profesionistët shëndetësorë dhe të afërmit dhe miqtë në dhomat e pritjes, të mbajnë maska.