Sizmologu finlandez flet për rrezikun e tërmeteve në Shqipëri
Tërmetet nuk mund të parashikohen, thotë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” sizmologu finlandez, Toni Veikkolainen.
Ai thotë se Shqipëria është shumë pranë kufirit të pllakave tektonike, ndaj është zonë e prirur për tërmete.
Sizmologu nga Universiteti i Helsinkit thotë se vendi është shumë pranë kufirit të pllakave tektonike mes Euroazisë dhe Adriatikut.
Pas lëkundjet, sipas tij mund të zgjasin për disa ditë ndërkohë që dridhjet që pasojnë tërmetin e parë mund të jenë edhe të manjitudave të larta.
Tërmeti në Shqipëri ishte 6.4 ndërsa dridhjet që kanë pasuar kanë arritur edhe të kalojnë manjitudën 5.
Veikkolainen thotë se edhe vendet e tjera të Ballkanit janë të rrezikuara, përfshirë këtu Greqinë ku pati edhe një tërmet pranë ishullit të Kretës me manjitudë 6 por që ndryshe nga ai në Shqipëri e kishte epiqendrën më në thellësi.
Tërmeti i Shqipërisë, thotë eksperti finlandez, ishte i cekët dhe kjo ka bërë që të shkaktojë më shumë dëme.
“Vendet në jug të Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe sigurisht, Turqia në lindje janë të rrezikuara jo pak. Italia është po ashtu. Të rrezikuara janë edhe Spanja dhe Portugalia. Evropa qendrore dhe ajo veriore janë më stabile në aspektin sizmologjik”, ka thënë ai.
“Tërmetet ndodhin kur energjia lirohet papritur në litosferën e tokës. Energjia atje akumulohet dhe më pas lirohet. Kjo ndodh më shpesh afër kufirit të pllakave se sa në mes të pllakave”, ka theksuar Veikkolainen.
Finlandezi sidoqoftë përsërit se tërmetet nuk mund të parashikohen, ndryshe nga vullkanet ku ka pajisje që mund të masin gazrat vullkanikë.
Veikkolainen ka shtuar se e vetmja gjë që mund të bëhet kur ndodh një tërmet, është marrja e masave për parandalimin e dëmeve të mëtejshme nga dridhjet që pasojnë. E këto masa mund të jenë largimi i njerëzve nga zona, etj.
Ai këshillon që në rast tërmetesh, njerëzit nuk duhet të qëndrojnë në vende ku mund të ketë dëme shtesë. Duhet qëndruar në kate të ulëta dhe të ndiqen udhëzimet e autoriteteve.