S’ka arsye për zgjedhje të parakohshme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka vlerësuar se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme në aspektin politik sesa që është aktualisht.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qeveria është duke funksionuar dhe nuk ka arsye për zgjedhje të parakohshme apo për qeveri gjithëpërfshirëse.
Madje, sipas Latifit, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2021.
Duke folur për çështjen e taksës ndaj produkteve serbe, ai ka thënë se situata nuk është shqetësuese.
Sipas Latifit, taksa nuk do ta rrezikojë aleancën Kosovë – ShBA. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se kryeministri Haradinaj më përpara është i gatshëm të japë dorëheqje sesa t’i dëmtojë marrëdhëniet me Amerikën.
Sa i përket vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, Latifi ka thënë se presioni ndërkombëtar duhet të përqendrohet në adresë të Serbisë
“Epoka e re”: Z. Latifi, gjatë kësaj jave Kosova është vizituar nga zyrtarë të lartë gjermanë dhe britanikë të cilët kanë kërkuar pezullimin e taksës. Pas thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë, ka reflektim të kryeministrit për të lëvizur përpara në këtë proces?
Latifi: Në fakt, presioni duhet të përqendrohet në adresë të Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare e di që problemi është Serbia dhe jo Kosova. Të gjithë ata që mendojnë se është mirë të ecet rrugës së normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi për arritjen e një marrëveshje që ka për qëllim njohjen reciproke atëherë presioni duhet të drejtohet te Serbia, e cila është shkaktare e shumë të këqijave në Kosovë. Pra, si pasojë e veprimeve agresive të saj kundër Kosovës, është vendosur taksa. Tekefundit, presioni në adresë të Serbisë është rruga më e qartë dhe më e duhur për ta bërë të gjithë, edhe ne si Kosovë, edhe bashkësia ndërkombëtare, sepse problem është Serbia, jo Kosova.
“Epoka e re”: Si pasojë e kësaj takse Kosova po rrezikon partneritetin me ShBA-në.
Latifi: Raportet ShBA – Kosovë nuk rrezikohen në qoftë se ka dallime në vlerësimin e situatës për sa i takon taksës. Marrëdhëniet Kosovë – ShBA po kultivohen gjithnjë e më shumë. Prandaj nuk është e vërtetë se po rrezikohen raportet me ShBA-në. Kjo çështje më shumë po interpretohet nga disa qarqe dhe individë. E ka thënë edhe kryeministri se nuk është i gatshëm që në emër të Qeverisë së Kosovës ta ndjekë rrugën e dëmtimit apo prishjes së marrëdhënieve Kosovë – ShBA.
“Epoka e re”: Pra, në momentin që këto marrëdhënie vihen në pikëpyetje, kryeministri do të tërhiqet?
Latifi: Ai ka deklaruar se më përpara do të shkojë në shtëpi sesa që do ta rrezikojë aleancën Kosovë – ShBA. Nuk është për t’u shqetësuar, sepse taksa është vendosur ndaj Serbisë dhe jo ndaj të tjerëve. Ndërkaq në shumë relacione po funksionojnë përditë e më mirë raportet Kosovë – ShBA. Kurse përderisa Serbia nuk ka gatishmëri për të reflektuar dhe korrigjuar vetveten, është i pakuptimit presioni apo kushtëzimi që po tenton ta bëjë në drejtim të rivendosjes së dialogut.
“Epoka e re”: Mund të ketë vazhdim të dialogut pa u pezulluar taksa?
Latifi: Nëse Serbisë i ngutet le të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe Kosova nga këto bisedime kërkon njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve. Prandaj, në momentin kur të qartësohet pozicioni i Kosovës dhe i Serbisë, si dhe kur të dihet saktësisht se procesi po shkon drejt përfundimit, atëherë në kuadër të kësaj mund të shihet edhe marrëveshja e Kosovës me Serbinë për tregtinë e lirë, që nënkupton pezullimin ose heqjen e taksës. Serbia duhet ta njohë realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Për këtë qëllim jemi duke punuar edhe ne.
“Epoka e re”: Çështja e taksës, a mund të jetë arsye për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj?
Latifi: Në qoftë se Qeveria e Kosovës po u dashka të rrëzohet për shkak se ka vendosur taksë ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës atëherë lë të rrëzohet. Për sa kohë që situata është kështu dhe Serbia nuk ndryshon qasje, Kosova është në pozitë shumë të fortë. Kushdo prej forcave politike që e merr përsipër rrëzimin e Qeverisë në këtë situatë atëherë duhet ta mendojë nëse duhet apo jo të konkurrojë në zgjedhjet sepse do të pësojë rënie rapide meqë populli i Kosovës ka vuajtur shumë prej veprimeve agresive të Serbisë. Edhe pse Kosova është bërë shtet, Serbia vazhdon të ketë qasje armiqësore dhe agresive ndaj Kosovës, dhe populli i Kosovës e di mirë këtë. Ata që tentojnë ta rrëzojnë Qeverinë në këtë situatë, duhet ta kenë parasysh edhe çmimin që do ta paguajnë në zgjedhje. Qeveria edhe mund të bjerë, por taksa mbetet. Qeveria po funksionin, por natyrisht se nuk është e lehtë asnjë punë sikurse nuk është as situata në raport me taksën ndaj Serbisë. Pavarësisht prej kësaj, Qeveria është duke funksionuar dhe jam i bindur se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2021.
“Epoka e re”: Si mund ta çoni deri në fund mandatin kur Qeveria në vazhdimësi po ballafaqohet me probleme?
Latifi: Qeveria është aktive dhe po punon. Është e drejtë e secilit të kritikojë apo të japë vërejtje. Kosova nuk ka komoditet për të shkuar në zgjedhje sepse po ndodhin zhvillime të rëndësishme. Qeveria Haradinaj ka kryer shumë punë dhe ka marrë vendime të rëndësishme, por natyrisht se ka edhe të meta në qeverisje. Ka bërë shumë punë edhe në nivelin lokal duke iu përgjigjur kërkesave të komunave. Kosova e ka ushtrinë, Ligjin për paga, Ligjin për kryeqytetin etj. Ka plot veprime qeverisëse të cilat e kanë rikthyer Kosovën në rrugën e duhur. Natyrisht jemi të vetëdijshëm se ka probleme dhe sfida që duhet t’u japim zgjidhje.
“Epoka e re”: Këto ditë është folur edhe për mundësinë e krijimit të një qeverie gjithëpërfshirëse. Do të pranonte AAK-ja të jetë pjesë e saj?
Latifi: Qeveria Haradinaj është funksionale dhe stabile. Nëse është çështja te dialogu, për herë të parë kemi ligjin dhe platformën për këtë proces. Kontributin e tyre në këtë proces mund ta japë edhe opozita, por nuk mund të ketë qeveri gjithëpërfshirëse apo zgjedhje të parakohshme pse kërkojnë partitë opozitare. Qeveria po funksionon dhe nuk ka arsye për qeveri gjithëpërfshirëse apo zgjedhje të parakohshme.
“Epoka e re”: Ka unitet brenda koalicionit për ta vazhduar qeverisjen?
Latifi: Problemi nuk është këtu, sepse kjo diskutohet nga partnerët e koalicionit, por po flasim për institucione funksionale. Dhe një prej institucioneve më të rëndësishme siç është Qeveria po funksionon dhe nuk ka arsye për të çuar vendin në zgjedhje. Kurdo që Serbia është e gatshme ta pranojë ofertën e Kosovës për njohjen reciproke ne jemi këtu. Në këta 20 vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme në aspektin politik sesa që është tash.
Shqipe HETEMI