S’ka asnjë kuptim që Ura mbi Ibër të mbahet e mbyllur, i kemi informuar ambasadorët
Shefja e grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar hapjen e Urës së Ibrit, e cila për të është sinonim i ndarjes dhe pengesë serioze e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.
Kusari-Lila, ka thënë se të gjitha rreziqet e mëhershme janë hequr dhe se nuk ka asnjë kuptim që Ura mbi Ibër të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë.
“Ura e Ibrit është sinonim i ndarjes, i qytetit të ndarë është pengesë serioze në lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e lumit Ibër dhe tashmë besoj që është mirë e argumentuar që janë hequr të gjitha rreziqet e mëhershëm që janë asociuar me lirimin apo qarkullimin e Urës së Ibrit. Prandaj nuk ka asnjë argument të qëndrueshëm përveç atij, argumenti politik të mëhershëm që ka qenë që ura duhet të mbahet e mbyllur”, ka thënë Kusari.
Tutje, shefja e këtij grupi ka potencuar se kjo do të jetë simbolika e fundit e heqjes së ndasisë.
“Ne e mbështesim hapjen Urës dhe besojmë që kjo do të jetë simbolika e fundit e heqjes së ndasisë qoftë edhe në aspektin psikologjikë të qytetarëve të Mitrovicë së Jugut dhe Veriut. Përderisa ka filluar lëvizja e lirë deri në kufirin më të skajshëm verior të vendit. Nuk ka asnjë kuptim që një Urë në Mitrovicën e Jugut dhe e Veriut të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë”, shtoi ajo.
Kusari-Lila ka theksuar se në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut ka siguri të mjaftueshme, madje shtoi se është e nevojshme që në atë pjesë të ketë lëvizje të lirë.
“Besoj që ka siguri të mjaftueshme në gjithë territorin Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Veriun dhe Jugun e Mitrovicës. Është më se e nevojshme dhe besoj që duhet të jenë të gjithë në funksion të veprimet për lëvizjen e lirë ashtu siç kemi qenë gjithmonë po komunikohet kërkesa e Qeverisë dhe veprimet e saj”, theksoi Kusari-Lila.
Ajo gjithashtu ka folur edhe për takimin e javës së kaluar të kryeministrit Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Sipas, saj për dallim prej më herët dhe ankesave që kanë pasur ambasadorët e shteteve të QUINT-it për mos-informim, tani ata janë informuar.
“Për dallim prej më herët dhe ankesave që kanë pasur në veçanti ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që nuk kanë qenë të informuar, tani informatën e kanë. Argumentimet po bëhen dhe natyrisht besoj që krejt çka duhet të jemi të gjithë është në funksionalizimin e zbatimi të këtij veprimi sa më parë që edhe ajo pjesë e Kosovës, të ndjejë mirëfilljen e qarkullimit e lirë, pa ndonjë ndjenjë në aspektin psikologjik për ta përdorur urën apo për të ndjerë lëvizjen e lirë në të dyja anët e Lumit Ibër”, ka thënë ajo.
Ndryshe, të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë. EO