S’ka befasi, kualifikohen favoritët
Arsenal ka mposhtur 3-0 BATE Borisov në ndeshjen e kthimit duke u kualifikuar për në fazën e 1/8-ave të Europa League. Pasi ndeshja e parë kishte dalë 1-0 për Topçinjtë, ata kanë shfaqur potencialin e tyre edhe në Emirates.
Autogoli i Volkov si dhe golat e dy qendërmbrojtësve Mustafi dhe Sokratis kanë vendosur takimin.
Edhe Napoli nuk e ka pasur të vështirë ndeshjen e kthimit duke fituar 2-0 në San Paolo. Pas fitores 3-0 ndaj Zurich në Zvicër, të kaltrit kanë bërë detyrën në Itali falë golave të Verdi dhe Ounas .
Ndërkohë në ndeshjet e tjera Dinamo Zagreb ka përmbysur deficitin e ndeshjes së parë ku humbi 2-1, duke fituar pastër 3-0 brenda ndaj Plzen.
Eintracht Frankfurt nuk e ka diskutuar kualifikimin duke shënuar dy gola të shpejtë në pjesën e parë. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë ndaj Shakhtar Donetsk, gjermanët kanë fituar 4-1 me meritë në ndeshjen e kthimit.
Salzburg ka fituar 4-0 brenda ndaj Club Brugge duke kaluar në fazën tjetër. Austriakët kishin humbur 2-1 ndaj belgëve në ndeshjen e parë, por brenda në shtëpi nuk e kanë pasur të vështirë duke shënuar tre herë që në 45 minutat e para.
Valencia e nisi ndeshjen me avantazhin e dy golave të shënuar në ndeshjen e parë ndaj Celtic në Skoci. Spanjollët kanë fituar 1-0 në Mestalla duke kaluar në fazën tjetër.
Villarreal ndaj Sporting ishte një nga ndeshjet më të forta të kësaj faze. Pas fitores 1-0 të spanjollëve në Portugali, Sporting ishte në avantazh deri në minutën e 80’ kur Fornals i ka hequr shpresën e shtesës miqve të cilët gjatë pjesës së dytë luajtën me një lojtar me pak pas të kuqit të Jefferson.
Zenit St Peterburg ka fituar 3-1 ndaj Fenerbahce-s dhe avancon më tej. Turqit kishin fituar ndeshjen e parë 1-0, por në rusi ata kanë qenë të pafuqishëm dhe duhet të kthehen në shtëpi të zhgënjyer.