S’ka fitues në ‘Old Trafford’
Manchester United dhe Arsenal kanë barazuar 1-1 në supersfidën e javës së 7-të të Premier Ligë. Ishte një ndeshje me nivel nën mesatare dhe aspak si ato legjendaret që janë zhvilluar në “Old Trafford” mes këtyre dy skuadrave.
Arsenali e nisi më mirë ndeshjen se vendasit, të cilët ishin tepër nervozë dhe të paqartë në sulm. Megjithatë, United është mbrojtur mirë duke mos u lejuar hapësira sulmuesve të shpejtë të Arsenalit.
Në fund të pjesës së parë, kur të gjithë po prisnin fërshëllimën e arbitrit, Scott McTominay ka shënuar një gol nga hiçi për United. Mesfushori mori një top Rashford dhe pasi ia shtron mirë vetes dhe godet menjëherë duke befasuar portierin Leno i cili nuk lëvizi nga vendi.
Pas pushimit United luan me vetëbesim më të madh, por Aubameyang ka barazuar nga mesi i pjesës së dytë me një gol që në fillim u konsiderua si në pozicion jashtë loje, por pas konsultimit me VAR, arbitri Friend e ka cilësuar të rregullt.
Ndeshja ishte e hapur deri në fund dhe ekipi që insistoi më tepër për golin e fitores ishte Manchester United, por Djajtë nuk arritën të shënonin me mundësitë e krijuara.