S’ka marrëveshje për dinarin, Bislimi: Na duhet edhe një takim
Ka përfunduar në Bruksel takimi për dinarin.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që ka zhvilluar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka thënë se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk ka dëshiruar të shpalosë detaje.
“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”, ka thënë ai.
Fillimisht, më herët gjatë ditës është zhvilluar një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçaku ka zhvilluar takime dypalëshe me dy delegacionet.
Kryenegociatori i Kosovës ka thënë se gjatë takimeve diskutuan se cili është modaliteti më i mirë për të siguruar që Serbia të mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për qytetarët e Kosovës me kombësi serbe, që do të ishin në përputhje me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për transferet e parave të gatshme.
“Të dyja palët dorëzuan të premten (22 mars) dhe sot ne i prezantuam ato dhe diskutuam për to”, ka thënë Bislimi.
Ndërsa kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ende nuk është deklaruar për media pas përfundimit të rundit të dialogut.
Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e ka futur në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që ka zemëruar Serbinë, ka nxitur mospajtime edhe mes të Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.