S’ka pajtim pa njohje reciproke dhe kërkimfalje nga Serbia
Pavarësisht rezultatit të bisedimeve në Bruksel, Kosova dhe Serbia do ta kenë të vështirë përmbylljen e procesit të pajtimit ndërmjet dy shteteve.
Kjo për faktin se si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë dështuar që të merren seriozisht me krimet e luftës, si dhe me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Përveç kësaj, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se nuk mund të flitet për pajtim, pa kërkim-falje dhe njohje reciproke.
Ai thotë se pajtimi është një proces jashtëzakonisht i gjatë dhe nuk përmbyllet me një marrëveshje apo deklarim formal.
“Dialogu, procesi i dialogut, do ta ndihmonte procesin e pajtimit, sepse në rend të parë ne nuk mund të flasim për pajtim të mundshëm nëse dy palët, Beogradi dhe Prishtina, nuk komunikojnë apo nuk e njohin njëra-tjetrën. Pra, aty nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë pajtim”, thotë Blakaj për Radio Evropa e Lirë.
Kohë më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, inicioi krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Edhe pse formimi i këtij komisioni shihet si mundësi për hapjen e debatit dhe kontributin në procesin e pajtimit, komisioni ende nuk është funksionalizuar.
“Nisma e presidentit Hashim Thaçi mund të kontribuojë në pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nuk është i mjaftueshëm. Mendoj se të dyja palët, sa i përket realizimit të disa të drejtave, sidomos të viktimave të luftës. Duhet të procedohen më shumë lëndë për krime lufte, duhet t’u ofrohet më shumë reparacion apo dëmshpërblim viktimave të luftës dhe familjeve të tyre. Duhet të ketë kërkim-falje. Krejt këto bashkërisht mund të kontribuojnë në arritjen e një pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës”, thekson Blakaj.
Si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, sipas Blakajt, është bërë pak në zbulimin e krimeve të luftës. Nga lufta e fundit në Kosovë, të zhdukur mbesin rreth 1600 persona.
Ligjëruesi universitar, Abit Hoxha, mendon se pajtimi do të jetë i vështirë edhe për faktin se të dyja vendet kanë ndërtuar narrativa konfliktuoze.
“Për pajtimin praktik që po flasim ne, sipas terrenit, duhet të ketë shumë më shumë veprime. Së pari nevoja politike dhe mundësia politike do të përfshijë të gjitha etapat e konfliktit, duhet të përfshijë të gjitha konsekuencat e konfliktit. Po flasim për reparacionet ekonomike, po flasim për reparacionet e dinjitetit të familjeve, të cilave u janë vrarë anëtarët, janë ekspozuar ndaj dhunës e të tjera, po flasim për reparacionet ekonomike të resurseve shtetërore, po flasim për gjetjen e personave të pagjetur deri më tani. Po flasim për të gjitha problemet që kanë ardhur si rezultat i konfliktit me Serbinë që mund të marrë dekada”, vlerëson Hoxha.
Në luftën e fundit në Kosovë u vranë, më shumë 13 mijë persona, shumica prej tyre civilë, ndërkohë që u shkatërruan qindra-mijëra shtëpi.
Kosova dhe Serbia prej vitesh kanë nisur një proces të bisedimeve në Bruksel përmes së cilët palët parashihej që të normalizonin raportet mes vete.
Por, pavarësisht se përgjatë viteve u arritën marrëveshje që parashihej të lehtësonin jetën e qytetarëve, Serbia dhe Kosova nuk kanë arritur t’i zbatojnë tërësisht marrëveshjet.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë futur në atë që cilësohet si faza finale e dialogut, e ku pritet arritja e një marrëveshjeje finale që do të nënkuptonte normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.