S’ka pengesë për krijimin e qeverisë së re

28 tetor 2019 | 14:59

Zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se kjo parti ka shënuar rritje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se votat që i ka marrë LDK-ja në procesin zgjedhor janë vlerësim dhe besim nga qytetarët për programin tonë.

“Natyrisht se në garë kemi hyrë për t’i fituar zgjedhjet, por nuk ia dolëm të dalim partia e parë. Megjithatë, pritjet tona kanë qenë që të jemi fitues të kësaj gare. Votat që i kemi marrë janë vlerësim dhe besim i qytetarëve të Republikës së Kosovës për programin dhe kandidatët tanë. Mendoj se kemi pasur një përparim jashtëzakonisht të mirë, por është dashur të punohet në mënyrë që të jemi të parët”, ka deklaruar Ahmeti, duke shtuar se ende nuk dihen arsyet pse LDK-ja nuk i ka fituar zgjedhjet.

“Në fakt, nuk kemi një vlerësim për këtë, sepse ende nuk është mbledhur kryesia e partisë. Vetëm pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do të ulemi për t’i parë mangësitë tona në organizimin që kemi pasur në terren në mënyrë që pastaj të nxjerrim një bilanc të kësaj situate në të gjitha degët e LDK-së në Kosovë dhe jashtë Kosove. Pas certifikimit të rezultateve sigurisht se do të dalim me një analizë më të saktë për rezultatin e LDK-së. Tani për tani nuk kemi një konkluzion të përbashkët lidhur me rezultatin e LDK-së të arritur më 6 tetor”, është shprehur ai.

Sidoqoftë, Ahmeti ka thënë se LDK-ja ka marrë mbështetjen e qytetarëve për të qenë pjesë e qeverisë. Megjithatë, ai ka thënë se qeverisja në vend gjithmonë është sfiduese pavarësisht se me cilin subjekt qeveris. “Sfidat nuk janë të vogla për qeverinë e ardhshme, mirëpo LDK-ja ka kapacitete dhe ka njerëz kompetentë për të marrë përgjegjësi të caktuara brenda qeverisë së ardhshme”, ka theksuar Ahmeti.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, çfarë vlerësimi keni për zgjedhjet e 6 tetorit dhe a ka qenë i pritur rezultati që ka marrë LDK-ja në këtë proces zgjedhor?
Ahmeti: Natyrisht se në garë kemi hyrë për t’i fituar zgjedhjet, por nuk ia dolëm të dalim partia e parë. Megjithatë, pritjet tona kanë qenë që të jemi fitues të kësaj gare. Votat që i kemi marrë në procesin zgjedhor të 6 tetorit për neve janë vlerësim dhe besim nga qytetarët për programin tonë.

“Epoka e re”: Cilat mendoni se kanë qenë arsyet që kanë ndikuar që LDK-ja të mos dalë e para?
Ahmeti: Në fakt, nuk kemi një vlerësim për këtë, sepse ende nuk është mbledhur kryesia e partisë. Vetëm pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do të ulemi për t’i parë mangësitë tona në organizimin që kemi pasur në terren në mënyrë që pastaj të nxjerrim një bilanc të kësaj situate në të gjitha degët e LDK-së në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Pas certifikimit të rezultateve sigurisht se do të dalim me një analizë më të saktë për rezultatin e LDK-së. Tani për tani nuk kemi një konkluzion të përbashkët lidhur me rezultatin e LDK-së të arritur më 6 tetor.

“Epoka e re”: Edhe pse nuk keni fituar, megjithatë në këto zgjedhje LDK-ja ka shënuar ngritje.
Ahmeti: Votat që i kemi marrë janë vlerësim dhe besim i qytetarëve të Republikës së Kosovës për programin dhe kandidatët tanë. Mendoj se kemi pasur një përparim jashtëzakonisht të mirë, por është dashur të punohet në mënyrë që të jemi të parët. Si duket besueshmëria e qytetarëve kësaj radhe ishte pak më e madhe për Vetëvendosjen sesa për LDK-në. Megjithatë, e pranojmë këtë rezultat dhe do të vazhdojmë tutje.

“Epoka e re”: Ky rezultat i mundëson LDK-së ardhjen në qeveri. Ajo është duke i zhvilluar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje. Si po ecën procesi i negociatave dhe ju personalisht si e shihni formimin e qeverisë LV – LDK?
Ahmeti: Shumica e qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit ua kanë dhënë besimin këtyre dy partive për të qeverisur. Meqenëse Vetëvendosja është subjekti i parë, atëherë LDK-ja është e gatshme që të hyjë në proces të bashkëqeverisjes për t’i marrë përgjegjësitë e veta në qeverinë e re.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfiduese për LDK-në qeverisja me Vetëvendosjen duke pasur parasysh dallimet që kanë këto dy parti?
Ahmeti: Qeverisja në vend gjithmonë është sfiduese pavarësisht se me cilin subjekt qeverisë. Sfidat nuk janë të vogla për qeverinë e ardhshme, mirëpo LDK-ja ka kapacitete dhe ka njerëz kompetentë për të marrë përgjegjësi të caktuara brenda qeverisë së ardhshme. Tani për tani nuk ka një ndarje dhe një marrëveshje të saktë se me cilat resorë do të udhëheqë LDK-ja, por cilat do qofshin ato, për neve është prioritet situata në vend dhe agjenda e përbashkët me fokus për një mirëqenie më të mirë për qytetarët. Nuk është në interes të veçantë as të LDK-së dhe as të Vetëvendosjes se çfarë ministrie marrin ata apo ne. Më e rëndësishme se kjo është krijimi i një platforme për një qeverisje më të mirë.

“Epoka e re”: Deri më tani LV-ja dhe LDK-ja nuk kanë arritur të përcaktohen për ndarjen e asnjë pozite qeveritare?
Ahmeti: Ende nuk ka një marrëveshje ndërmjet dy subjekteve. Tani për tani po bisedohet në kuadër të grupeve të ekspertëve për ta harmonizuar programin e qeverisës së ardhshme. Ndërkaq më vonë sigurisht se do të arrihet edhe marrëveshja politike për ndarjen e resorëve, përkatësisht sektorëve qeverisës.

“Epoka e re”: Qeverinë e drejtuar nga LV-ja dhe LDK-ja e presin shumë sfida. Një ndër to, dialogu me Serbinë. Besoni se kjo qeveri do të mund t’u bëjë ballë me sukses këtyre sfidave?
Ahmeti: Është e vërtetë se këtë qeveri e presin shumë sfida, por ato nuk janë veç të qeverisë, por janë të gjithë shoqërisë. Sigurisht se vazhdimi i dialogut me Serbinë është një ndër sfidat që ka qeveria e re. Përveç kësaj, një sfidë jashtëzakonisht e vështirë është zhvillimi ekonomik i vendit, përmirësimi i gjendjes në shëndetësi, arsimi si dhe të të gjitha fushat e tjera. Sfidë do të jetë edhe fuqizimi i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj konsideroj se sfidat nuk duhet të ndahen në qeveri dhe jo qeveri, por sfidat janë të shoqërisë dhe, si të tilla, duhet t’i shohim në vijim të angazhimeve tona të përbashkëta.

“Epoka e re”: Ekziston ndonjë çështje për të cilën nuk do të mund të ketë pajtueshmëri në mes të LDK-së dhe LV-së?
Ahmeti: Nuk mendoj se do të ketë diçka që do të mund të ishte pengesë për krijimin e një qeverie të përbashkët. Mendoj se ka shumë pika të përbashkëta dhe po bisedohet për ta gjetur zgjidhjen e përbashkët për të gjitha situatat.

“Epoka e re”: E kaluara e këtyre dy subjekteve dhe kritikat që kanë shkëmbyer gjatë mandateve të kaluara nuk do të paraqesin probleme në rrugëtimin e tyre të përbashkët në pushtet?
Ahmeti: Nuk duhet të kthehet mbrapa askush. E rëndësishme është që të shikohet përpara dhe të gjendet formula për të bërë më të mirën për Kosovën dhe qytetarët e saj. Nuk duhet të kthehemi kah e kaluara, por duhet të merremi me të ardhmen dhe me agjendën e përbashkët e cila avancon dhe përmirëson çdo sektorë në Kosovë.

“Epoka e re”: Kryetar, meqë qytetarët ua kanë dhënë besimin këtyre dy partive për ta qeverisur vendin gjatë mandatit të ardhshëm, cili mendoni se duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së re?
Ahmeti: Prioritetet e qeverisë së ardhshme do t’i specifikojë mandatari për kryeministër bashkë me qeverinë, por në horizont shihen shumë probleme me të cilat duhet të ndeshemi. Besoj se në ditët në vijim dy partitë do të dalin me prioritetet e qeverisjes së ardhshme. Vetëvendosja dhe LDK-ja duhet të ofrojnë një qeverisje të mirë, efektive dhe pa korrupsion.

“Epoka e re”: Vetëvendosja dhe LDK-ja do të qeverisin më mirë se PAN-i?
Ahmeti: Gjithsesi se do të qeverisin më mirë. Të metat e ish-qeverisë nuk do të përsëriten. Mendoj se është krijuar një situatë e re politike në të cilën do të mund të formohet një agjendë e përbashkët e cila do të sigurojë një qeverisje me duar të pastra dhe e cila do t’i qaset plotësisht realizimit të çdo pike të agjendës së përbashkët.

“Epoka e re”: Mund të ketë vonesa deri në krijimin e kësaj qeveri?
Ahmeti: Nuk mendoj se ka nevojë të vonohet formimi i institucioneve të reja. Afatet e përcaktuara ligjore duhet t’i respektojmë, por çdo tendencë për të krijuar vonesa të panevojshme apo për t’iu shmangur rezultatit të 6 tetorit nuk prodhon të mira për vendin tonë. Prandaj sa më parë duhet të konstituohet Kuvendi, pastaj të formohet qeveria e re.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka nuk i mbajti dot nervat dje, kur po…