S’ka prova se Irani është duke zhvilluar armë bërthamore
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) ka bërë me dije se nuk ka prova të besueshme se Irani është duke punuar në zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore qysh pas vitit 2009 dhe se ajo e konsideron çështjen “të mbyllur” qysh pas publikimit të një raporti në dhjetor të vitit 2015.
“Raporti i vitit 2015 ka theksuar se Agjencia nuk ka pasur indikacione të besueshme për aktivitete që lidhen me zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore në Iran. Bazuar në raportin e Drejtorit të Përgjithshëm, Bordi i Guvernatorëve ka deklaruar se shqyrtimi i çështjes është mbyllur”, është thënë në deklaratën ANEB-së.
Deklarata vjen pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të hënën se vendi i tij ka dokumente që tregojnë “prova” të reja për një plan sekret bërthamor të Iranit, i cili mund të aktivizohet në çdo kohë.
Në vitin 2015, Irani dhe fuqitë botërore kanë arritur një marrëveshje, me të cilin Republika Islamike ka rënë dakord të frenojë aktivitetin e saj bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Qysh atëherë, inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë raportuar vazhdimisht se Irani është duke iu kushtuar vëmendje kushteve të marrëveshjes. (Rel)