S’ka punëtorë, në ‘krizë’ bizneset hoteliere në Shëngjin
Gjetja e punonjësve për sektorin e hoteleri-turizmit është kthyer në një sfidë të vërtetë për këtë sektor. Në Shëngjin shumë hotele e restorante detyrohen që të punësojnë familjarët e tyre por edhe punonjës nga rajoni, në mungesë të një stafi të kualifikuar vendas.
Sigurimi i stafit është kthyer në sfidë për bizneset e turizmit në Shëngjin.
Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm dhe vendosjes së njoftimeve në vende publike për vende pune, operatoret turistik thonë se nuk kanë arritur të plotësojnë nevojat që kanë për personel.
Në këto kushte shumë biznese kanë punësuar familjar të tyre e të tjerë i kanë kthyer sytë nga vendet e rajonit.
“Është bërë shumë probleme për punëtorë. Sivjet nuk ka askush interes për punë. Po e përballojmë me familjar sepse kemi shumë nevojë për personel.”
Këtë problematike e cila ka nisur të shfaqet vitet e fundit, bizneset në Shëngjin e lidhin me migrimin masiv të shqiptareve.
”Mendoj se shumica e rinisë kanë ikur jashtë.”
Në mungesë të punonjësve vendas, në Shëngjin janë të shumtë punëtoret sezonal të ardhur nga vende të rajonit.
Ata thonë se ndjehen mjaft mire dhe se janë të kënaqur me pagën dhe kushtet e punës.
”Kam bërë kontratë në Kosovë për të marrë personale, sidomos për kuzhinën.”
“Unë kam ardhur nga Prizreni për të punuar, për të bërë byrekë dhe pica.”
Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Tatimeve, në zonat turistike të Lezhës ushtrojnë aktivitetin 334 biznese, ndërsa numri i të punësuarve gjatë sezonit turistik shkon deri në 10 mijë persona.