‘S’ka reformë në drejtësi pa ndryshime kushtetuese’

21 dhjetor 2022 | 16:57

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të mërkurën tryezën e diskutimit “Reforma në drejtësi: roli i Kuvendit të Kosovë?”.

Në hapjen e tryezës, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka shpjeguar rëndësinë e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe  domosdoshmërinë që kjo reformë të zhvillohet në një frymë konsensuale, ndërmjet partive politike, institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Në fillim të diskutimit Violeta Haxholli nga KDI-ja ka prezantuar analizën “Reforma në Drejtësi: Në kërkim të konsensusit”, duke vënë theksin në rolin dhe kapacitetet e Kuvendit për të udhëhequr procesin ligjvënës lidhur me reformën në drejtësi. Analiza argumenton që Kuvendit do t’i duhet mbështetje e mirëfilltë me kapacitete profesionale dhe buxhetore për të adresuar këto reforma të cilat, duhet të përfshijnë të gjitha palët, posaçërisht institucionet e drejtësisë.

Ndërsa deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka vlerësuar lartë rëndësinë e një konsensusi të gjerë parlamentar.

Kryeziu-Hyseni, derisa ka listuar një numër iniciativash ligjore të hartuara përgjatë vitit 2022, ka pohuar se vetingu duhet të jetë gjithëpërshirës – që nuk kufizohet vetëm në institucionet e drejtësisë.

Ajo ka thënë se duhet të synojnë ndërtimin e një sistemi të drejtë, të pavarur, të përgjegjshëm.

Deputetja nga LV-ja ka gjykuar pozitivisht fillimin e procesit të vetingut, duke vlerësuar faktin se pronësia mbi këtë proces ka kaluar tek Kuvendi, derisa edhe Komisionin ad-hoc e drejton opozita.

Në anën tjetër deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se fjala konsensus ka qenë e panjohur përgjatë viteve të fundit në jetën parlamentare, duke bartur përgjegjësinë për këtë tek partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Por ka theksuar disa raste, kur opozita ka vepruar në drejtim të arritjes së një konsensusi, duke marrë pjesë në iniciativat për reformën zgjedhore, në miratimin e Rregullores së Kuvendit dhe në Komisionin ad-hoc për veting.

Për më tepër, deputetja e PDK-së, ka kritikuar polarizimin në mes të qeverisë dhe institucioneve tjera të drejtësisë.

Më tutje, deputetja Doarsa Kica-Xhelili ishte e mendimit se reforma tanimë është e vonshme  dhe  rezultat i një drejtësie që ka këtë e ka çalime serioze.

Kica-Xhelili, duke shpjeguar votimin kundër Projektligjit të byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka pohuar se roli i Kuvendit duhet të jetë mbrojta e kushtetutshmërisë se ligjeve që vinë në Kuvend.

Sipas saj, reforma duhet të dekonspirohet në përmbajtje dhe të kuptohet drejtë kompleksiteti i zbatimit të saj. Ajo ka thënë se Ligji për byronë, nuk i shërben ndjekjes së oligarkëve, as ndjekës së korrupsionit të lartë, për të cilën është folur dhe premtuar.

Kurse deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se reformimi nga kjo qeveri është më tepër deformim i sistemit ekzistues. Ai ka thënë se tek ky ekzekutiv ka munguar vullneti politik për jetësimin e këtyre reformave në praktikë. Tahiri ka theksuar se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të flasim për një veting të vërtetë.

Ky diskutim është realizuar në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirë qytetare për reformat e ardhshme në drejtësi” i përkrahur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappeni festoi titullin e dytë kampion për pilotë në…