S’ka rezultate për të raportuar – Lajçak shkruan për aktivitetet e tij dyjavore dhe rundin e fundit në Bruksel
Emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak ka thënë se dy javët e fundit kanë qenë ‘një përvojë intensive diplomatike e përqendruar në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë’.
Lajcak përmes një shkrimi në Facebook njoftoi për takimin që pati me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tregoi edhe për tentimin e tij që ta zhvillojë një takim trilateral në Bruksel, me dy kryenegociatorët, atë të Kosovës dhe Serbisë. Por, thotë se nuk arritën që të pajtohen mbi agjendën e këtij takimi.
Lajcak njoftoi se zhvilloi takime ndaras me dy kryenegociatorët, shkruan Gazeta Express.
“Dy javët e fundit kanë qenë një përvojë intensive diplomatike e përqendruar në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Pas diskutimit tim me Zëvendëskryeministrin Bislimi në Prishtinë, udhëtova drejt Beogradit për të përgatitur takimin e Kryenegociatorëve në Bruksel këtë të martë. Të martën, organizova takime të ndara me Kosovën dhe Serbinë në Bruksel. Edhe pse nuk arritëm të pajtohemi mbi agjendën e një takimi trilateral, diskutuam çështje politike dhe teknike dhe përshkruam hapa të rëndësishëm ndjekës për të orientuar diskutimet tona të ardhshme”, shkroi Lajcak.
Po ashtu, emisari special njoftoi edhe për vazhdën e takimeve të tij që pati në Paris, ku u takua me Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Presidentit Macron. Ai tha se me të bisedoi për zhvillimet e fundit në dialog.
“Ndërsa Dialogu ishte fokusi kryesor i javëve të fundit, unë gjithashtu mora pjesë në disa aktivitete të tjera. Nga Beogradi, vazhdova drejt Parisit për të takuar kolegët nga Ministria e Jashtme Franceze dhe mikun tim të mirë Emmanuel Bonne, këshilltarin diplomatik të Presidentit Macron. Ne u përqendruam në zhvillimet e fundit në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, duke siguruar që të jemi në linjë për rrugën përpara”.
Pas Parisit, Lajcak udhëtoi drej Hungarisë, ku njoftoi se mori pjesë në një panel ku u diskutua për Ballkanin Perënidmor dhe perspektivën e tyre evropiane.
“Pas një ndalesë të shpejtë në Bruksel, udhëtova drejt Hungarisë, ku pata mundësinë të flas për BE-në si një aktor të politikës së jashtme dhe gjithashtu të marr pjesë në një panel në distancë të përqendruar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tyre evropiane, së bashku me disa liderë rajonalë. Për të përfunduar këtë periudhë intensive, u angazhova me funksionarë të rinj civilë sllovakë, duke theksuar rolin kyç të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm”.
“Tani, jam gati të udhëtoj drejt New York-ut për javën vjetore të takimeve diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, përfundoi njoftimin Lajcak.