S’ka takim trepalësh në Bruksel

17 shtator 2024 | 15:43

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë zhvilluar takim trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën në Bruksel.

Bislimi është takuar dy herë me Lajçakun dhe ka thënë se takimi trepalësh me Petkoviqin ka dështuar pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

Ai nuk ka shpjeguar se çfarë kërkesash shtoi pala serbe për ta kushtëzuar pjesëmarrjen në takim trepalësh.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, ka thënë Bislimi.

Në takimin dypalësh me Lajçakun, Bislimi ka thënë se temë kryesore ka qenë rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023.

“Tema kryesore në takim me Lajçakun ka qenë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të implementimit në Ohër. Kemi folur edhe për atë se deri ku kemi mbërritur me disa marrëveshje të tjera dhe ku kemi hasur në probleme”, ka thënë Bislimi.

Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviqi janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat. /REL

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anthony Joshua thotë se ai ka “kaluar shumë dhimbje” gjatë…