S’ka të dhëna për numrin e qenve endacak dhe vaksinimin e tyre

11 korrik 2022 | 15:23

Rrugët në Kosovë janë të mbushura plot me qenë endacak, por institucionet nuk kanë të dhëna se sa është numri i tyre. Shumë edhe nga pronarët që dikur i mbanin në shtëpi, po i lënë në rrugë për shkak të pamundësisë dhe kostos së lartë të kujdesit. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zotohen se po bëjnë vaksinimin e tyre dhe kafshëve të tjera, ani pse nuk kanë shifra. Kurse, në Prishtinë së shpejti nis vendosjen e mikroqipave te qentë endacak.

Drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, Sadik Heta, ka thënë për “Kosovapress”, se secili qen pavarësisht me ose pa pronar është i vaksinuar.

“Të gjitha programet që përfshijnë kastrimin, sterilizimin ose projektin e trajtimit të qenve endacak, janë të parapanë që të bëjnë vaksinimin e qenve endacak kundër sëmundjes së tërbimit. Pra secili qen i cili është i trajtuar, i kastruar ose sterilizuar dhe i cili ka numër në vesh, është i vaksinuar kundër sëmundjes së tërbimit edhe sëmundjeve parazitare. Përqindja e vaksinimit nuk mund të themi për arsye se puna e qenve endacak akoma nuk dihet numri i saktë i qenve endacak që janë në vend”, ka thënë ai.

Sipas tij, është obligim i komunave që të bëjnë vaksinimin kundër sëmundjes së tërbimit të qenve endacak.

Ai ka thënë se projektet komunale që financohen nga komunat për vaksinim të qenve, trajtimin e bëjnë në shtëpia.

“Te qentë endacak, të gjithë qentë që zihen në rrugë nga projektet komunale vaksinohen, të gjithë qentë me pronar të cilët identifikohen ose shkojnë të veterinarët për identifikim dhe regjistrim vaksinohen…(03:48) Gjithashtu projektet komunale të cilat financohen nga komunat për vaksinimin e qenve me pronar, janë projekte të cilat shkojnë në shtëpia apo bëjnë organizime nëpër fshatra për të bërë vaksinimin e qenve me pronar, pra jo të gjitha komunat, një pjesë e madhe e komunave janë duke e praktikuar edhe vaksinimin e qenve me pronar duke shfrytëzuar buxhetin komunal dhe duke aplikuar nga veterinarët vaksinimin e qenve me pronar në fshatra”, ka thënë ai.

Elza Ramadani nga “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”, ka thënë se në Kosovë nuk po arrijnë të identifikohen qentë me pronar dhe pa ata.

“Qentë endacak vinë pikërisht prej njerëzve të papërgjegjshëm që blejnë qen në mënyrë të pakontrolluar, pastaj i hedhin qentë që nuk i duhen më në rrugë sepse qentë kërkojnë shumë kujdes. Kushtojnë sepse duhet trajtim veterinar dhe trajtime të tjera njëjtë sikur për një anëtar të familjes, pastaj kur kjo bëhet e papërballueshme për shumë njerëz në Kosovë i hedhin qentë në rrugë dhe pastaj ata qen shumohen vazhdimisht me qen tjerë që janë në rrugë ose me qen që bredhin lirshëm”, deklaron Ramadani.

Megjithatë, të njëjtën gjë nuk e ka thënë edhe veterinari Shefki Hajdini. Sipas tij, është rritur numri i kafshëve në shtëpi.

Po ashtu, Elza Ramadani, ka thënë se institucionet nuk po arrijnë të ndalojnë importin ilegal të qenve.

“Kompetenca kryesore e zbatimit të planeve për menaxhimin e qenve endacak bie në përgjegjësinë e komunave por gjithsesi edhe të AUV-it. Nuk po munden me zënë këtë hap sepse braktisjet, shumimi i qenve në rrugë ndodh vazhdimisht, mbrapshtimet e pakontrolluara ndodhin vazhdimisht, importi ilegal i qenve dhe kafshëve shoqëruese ndodh vazhdimisht dhe këto institucione në përgjithësi nuk janë interesuar asnjëherë me zgjedh këtë problem deri më tani”, ka thënë Ramadani.

Ajo ka thënë se duhet të ketë më shumë trajnime për veterinarë në fushën e kastrimit dhe sterilizimit dhe trajtimit të kafshëve.

Kurse veterinari Shefiki Hajdini, ka thënë se AUV-i është duke u punuar në këtë problem, por që duhet kohë.

“Veç është duke u punuar në këtë rast, edhe AUV-it ose qeveria dhe Komuna e Prishtinës është duke punuar për t’i menaxhuar qentë endacak, edhe pse është një problem që nuk mund të zgjidhet shpejtë”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka thënë  se është duke u punuar edhe për vendosjen e mikroqipave te qentë, në mënyrë që pastaj të identifikohen më lehtë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtetas i huaj është arrestuar në qendrën e Azilit…