Nuk kalon në parim Projektligji për mbrojtjen e ajrit në Komisionin për Bujqësi

25 shtator 2018 | 15:49

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ka shqyrtuar të martën Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

Ky projektligj nuk ka kaluar në parim për shkak të kundërshtimeve që kishte nga anëtarët e këtij komisioni me arsyetimin se “agjenda ishte e ngarkuar dhe nuk kanë arritur që të konsultohen me ekspertët dhe materialin gjegjës”.

Në këtë mbledhje, komisioni ka formuar grupin punues për këtë projektligj, i cili do të kryesohet nga anëtari Salih Salihu.

Ndërkaq, deputetët e LDK-së, Besa Gaxheri, dhe Lutfi Zharku, refuzuan të marrin pjesë në votim me arsyetimin se LDK-ja e ka bërë të qartë kahen e kësaj qeverisje. “LDK-ja nuk do të jetë pjesë e grupit punues, nuk jemi rob të mocionit, ne kemi obligimet tona. LDK-ja nuk do të marrë pjesë në votim në asnjë komision”, ka thënë Gaxherri.

Kryesuesi i këtij komisioni, Muharrem Nitaj, ka thënë se Kosova është në fazën e hershme të implementimit të masave për mbrojtjen e ajrit. “Nga ndotja e ajrit janë të ekspozuar nga rreziku qytetarët e Kosovës, sidomos ata që jetojnë në zonat urbane. Unë apeloj që të merret pjesë në votim, asnjëri nga ne nuk e kemi fuqinë individual që ta rrëzojmë apo ta mbajmë në këmbë qeverinë”, ka thënë Nitaj.

Myzafete Hakaj nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ka prezantuar të dhënat e këtij projektligji.

Ai ka deklaruar se ky projektligj është konform direktivave të BE-së. “Ky projektligj është konform direktivave të BE-së dhe gjatë implementimit të Ligjit të mëhershëm kishim pengesa. Ne duhet ta përshtatemi këtë projektligj konform interesave ambientale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Projektligji ka shtatë kapituj dhe 71 nene dhe i referohet mbrojtjes dhe cilësisë së ajrit. Ky ligj prek gjithë substancën e ligjit paraprak”, është shprehur Hakaj.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, është i domosdoshëm.

Ajo ka uruar që të rregullohet cilësia e ajrit, duke theksuar se deputetët kanë përgjegjësi të krijojnë ligje të mira.

Deputetja e PSD-së, Sali Salihu, ka theksuar se është urgjente që të bëhet më shumë për mbrojtjen e ajrit.

Si shembull sfidues ajo ka përmendur ‘Kosovën B’, të cilës nuk i janë ndërruar filtrat që 30 vite.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zybaj, ka deklaruar se nuk kanë pasur kohë dhe informim të mjaftueshëm për të diskutuar lidhur me ketë projektligj.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në këtë mbledhje ka apeluar që t’i vihet në mbrojtje kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë qëndrimit në Gjermani, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,…