Skandal në Lojërat Olimpike, 6 notarë polak mbyllin turneun ende pa nisur
Lojërat Olimpike do të startojnë zyrtarisht të premten teksa po priten me mjaft interes nga sportdashësit.
Ekipit olimpik të Polonisë i ka ndodhur një incident i pakëndshëm, saktësisht ekipit të notarëve ku 6 prej tyre janë kthyer menjëherë pasi kanë zbritur në aeroport në Japoni pasi ishte bërë një gabim administrativ nga federata.
Drejt Tokios ishin dërguar 23 notarë, dhe numri i lejuar ishte 17 duke bërë kështu që 6 prej tyre të ishin të tepërt. Në Poloni ky është cilësuar si skandal dhe sportistët kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të federatës së notit.
Vetë kreu i federatës, Pavel Slominski doli me një deklaratë zyrtare duke kërkuar falje : ‘’ “Unë shpreh keqardhje, trishtim dhe hidhërim të madh për situatën. Një situatë e tillë nuk duhet të ndodhë dhe reagimi i notarëve, emocionet e tyre, sulmi ndaj Federatës Polake të Notit është i kuptueshëm për mua dhe i justifikuar’’, tha Slominski.