
Skandal: Prokuroria e Speciales i referohet Kosovës si ‘Kosovë dhe Metohi’
Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka pranuar një ankesë nga një i intervistuar i Gjykatës Speciale në Hagë se gjatë intervistimit nga dy punonjës të ZPS-së i ishin referuar Kosovës “Kosova dhe Metohi”.
Siç bëhet e ditur në ankesën drejtuar Avokatit të Popullit të ZPS-së, me 11 nëntor të viti 2022, ankuesi u intervistuar nga dy punonjës të ZPS-së dhe në fillim të intervistës njëri prej punonjësve gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët “Kosovo i Metohija”.
“Më 11 nëntor 2022, ankuesi u intervistua nga dy punonjës të ZPS-së. Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’. Në atë moment, ankuesi nuk ngriti ndonjë kundërshtim dhe shqetësim në lidhje me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’, pasi u këshillua të mos e bënte këtë nga mbrojtësi i tij. Megjithatë, në fund të intervistës, ai shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion”, thuhet në ankesën e të intervistuarit drejtuar Avokatit të Popullit.
“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në ankesën e të intervistuarit drejtuar Avokatit të Popullit.
Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument kur përdori këtë term.
Ndërsa më 9 shkurt 2023, ZPS-ja iu përgjigj Avokatit të Popullit. ZPS e pranoi zyrtarisht se termi “Kosovo i Metohija” ishte përdorur në intervistën me ankuesin dhe pranoi se kjo ishte bërë gabimisht.
“ZPS-ja deklaroi se ky term nuk është pjesë e praktikës standarde të ZPS-së dhe nuk përdoret as në modelet standarde ose pro forma të dokumenteve që përdor ZPS-ja. ZPS-ja hodhi poshtë pretendimin e ankuesit se punonjësit e saj ishin treguar mospërfillës ndaj ankesës së tij, të cilën ai ua kishte shprehur në përfundim të intervistës. ZPS-ja informoi Avokatin e Popullit se pas intervistës, ishin ndërmarrë disa hapa për të përcaktuar se si kishte ndodhur ky gabim dhe për të parandaluar përsëritjen e tij. Gjithashtu, punonjësve u ishin dhënë udhëzime të mëtejshme në lidhje me kontekstin e këtij termi”, thuhet në arsyetimin e ZPS-së.
Avokati i Popullit pranon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ ishte fyes për ankuesin. Pavarësisht kësaj, sipas Avokatit të Popullit, ZPS e kishte përdorur këtë term në mënyrë të paqëllimshme dhe gabimisht.
Avokati i Popullit e ka rrëzuar këtë ankesë duke u bazuar në rregulloren 29(3)(b) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pasi në të nuk provohet se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut nga ZPS-ja.
“Avokati i Popullit është bindur se ZPS-ja ka marrë masat e duhura për të siguruar që gabimi i bërë me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’ të
mos përsëritet. Në lidhje me kërkesën e ankuesit për masa shtesë, Avokati i Popullit vëren se ZPS-ja është e pavarur në kryerjen e funksioneve të saj5 dhe se nuk ka bazë ligjore që ajo t’u raportojë subjekteve të ndryshme politike të jashtme, sikurse kërkohet nga ankuesi”, thuhet në shqyrtimin e Avokatit të Popullit të ZPS-së.