Skandal tjetër nga keqpërdorimi seksual i 14 vjeçes, i përfshirë edhe një mjek
Në skandalin e keqpërdorimit seksual të një 14-vjeçare nga Gjilani është përfshirë edhe një gjinekolog në Prishtinë.
Gjatë ditës së djeshme mediat raportuan për një rast të keqpërdorimit seksual të një të miture 14-vjeçare nga Komuna e Gjilanit nga një person 21-vjeçar. Persona të afërt familjar të vajzës kanë dhënë hollësi tronditëse për këtë rast.
Historia e tyre thuhet se ka filluar në muajin janar kur vajza kishte rënë në kontakt me 21-vjeçarin me iniciale Sh. J. Një burim i ka thënë gazetës “Sinjali” se vajza kishte shkuar me 21-vjeçarin për herë të parë në një motel. Ai i kishte premtuar se nuk do të kryente marrëdhënie seksuale, por vajza pa dijeninë e saj ishte keqpërdorur dhe këtë e kishte kuptuar tek pasi kishte pësuar gjakderdhje vaginale.
“Përderisa ata kishin qenë në motel, ajo u detyrua që të kryejë marrëdhënie seksuale edhe me një person tjetër të moshës 30-vjeçare (emër i njohur për redaksinë). Kjo ndodhi me kërkesën e Sh. J., i cili paraprakisht i kishte kërkuar që të performojë akte të panatyrshme seksuale, me dijeninë dhe nxitjen e tij”.
Rastet e marrëdhënieve seksuale ishin përsëritur derisa vajza kishte bërë një test të shtatzënisë i cili kishte rezultuar pozitiv. Pasi kishte marrë këtë lajm, 21-vjeçari e kishte dërguar të miturën tek një gjinekolog në Gjilan, i cili ia kishte përshkruar një terapi për abort por nuk e kishte vulosur e si rezultat vajza nuk kishte mundur të blejë barnat.
“Ajo asokohe, është dërguar në një ordinancë private në Prishtinë, me lokacion rreth 300-400 metra larg stacionit të autobusëve, ku është detyruar që pa dijeninë paraprake dhe pa praninë e prindit apo ndonjë personi të gjinisë femërore t’i nënshtrohet abortit”, thotë ky burim.
Me trauma të forta dhe nën emocione të papërshkrueshme, e mitura ka vazhduar ta rrëfente këtë ngjarje te ky person i afërt me të, duke i thënë se, “përveçse nuk isha në dijeni se çka po ndodhte, mua më kanë detyruar që të gënjej lidhur me moshën time, sepse unë në atë kohë isha 13 vjeç, ndërsa u detyrova të them se jam 15 vjeç”.
Më tutje rrëfen burimi se viktima ishte dhunuar seksualisht në moshën 13-vjeçare dhe se asaj nuk i kujtohen shumë detaje me këtë ngjarje përveç shumës që ka paguar 21-vjeçari për ta kryer abortin.
“Ajo ka thënë se nuk mban mend detaje rreth asaj dite për shkak të tronditjes që ka pësuar, mirëpo vetëm i kujtohet se ai ka paguar shumën prej 500 eurosh për kryerjen e abortit në këtë ordinancë”.
Policia e Kosovës ka marrë urdhër për të arrestuar 21-vjeçarin, ndërsa “Sinjali” raporton se Prokuroria do t’i caktojë masën e paraburgimit.