Skandali dhe standardi
Shkruan: Iljasa Salihu
Aq të shpeshta janë bërë skandalet, saqë për fat të keq, skandali është shndërruar në standard.
Skandal është të përdhoset gjuha standarde, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të punësohesh mbi baza partiake, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të bëhesh këngëtare e famshme mbi baza të zhveshjes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të respektohesh vetëm për interes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është t’i kesh shpenzimet më të larta se të ardhurat, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është ta dashurojë gruaja burrin dhe në anën tjetër ta urrejë familjen e burrit, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që politikani t’i ketë dhjetëfish më të larta kursimet se të ardhurat, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që profesori të paktën dy libra në vit të mos i lexojë, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që analisti partiak të hiqet si analistë i pavarur, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që gratë të turpërohen të merren me sport dhe në anën tjetër të dalldisura skajshmërish të vallëzojnë nëpër dasma, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që shoqatat bamirëse të ndërtojnë shtëpi për të pastrehët dhe në anën tjetër politikanët të ndërtojnë shtëpiza të shtrenjta nëpër male, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është prania e nepotizmit nëpër organet shtetërore, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të injorohet njeriu i drejtë dhe parimor, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të udhëhiqen besimtarët prej udhëheqësve fetar, të cilët udhëhiqen prej nëntokës dhe liderëve partiak, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që mikun ta harrosh posa të lartësohesh në piramidën politike, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është t’i blesh gjykatësit dhe në rast akuzash t’i thoshe tjetrit se nëse janë të vërteta këto akuza, urdhëro më paditë në gjykatë, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është të ecësh me sukses në karrierë në sajë të dukjes dhe jo të dijes, por në të vërtetë sot kjo është standard.
Skandal është që në mungesë të frytshmërisë së trurit, ta shesësh trupin për një avancim, por në të vërtetë sot kjo është standard.
(Gjithmonë ka përjashtime! Në rastin e këtij shtjellimi përjashtimet janë të rralla)