Skandali i MPJ-së, diplomati i pensionuar i Kosovës po shërben si Ambasador në Shqipëri
Nuk kanë të ndalur skandalet në politikën e jashtme të Kosovës.
Ndonëse Skënder Durmishi ishte emëruar Ambasador i Kosovës në Shqipëri pak javë para se të arrinte moshën e pensionimit, ai aktualisht po vazhdon të qëndrojë atje në mënyrë të paligjshme, raporton Demokracia.com.
Edhe pse në shumë shtete është e rregulluar me ligj çështja e pensionimit të diplomatëve, Kosova këtë e ka të rregulluar vetëm me Ligjin për Shërbyesit Civil.
Në nenin 3 të Ligjit për Shërbyesit Civil precizohet qartë që edhe personeli diplomatik dhe konsullor janë pjesë e shërbimit civil dhe i nënshtrohen legjislacionit në fuqi.
“Personeli diplomatik dhe konsullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe i nënshtrohet këtij ligji dhe legjislacionit përkatës në fuqi”, shkruan në nenin 4 të Ligjit për Shërbyesit Civil, transmeton Demokracia.com.
Në të kaluarën ka me dhjetëra raste kur stafi diplomatik e ka përfunduar karrierën e vet me arritjen e moshës së pensionimit, por kështu nuk po ndodh edhe në Qeverinë Kurti.
Ish-ambasadori Avni Spahiu ishte kthyer nga shërbimi në Turqi për shkak të arritjes së moshës së pensionimit. Edhe ish-ambasadori i ndjerë, Rexhep Boja, ishte kthyer në Kosovë nga Mbretëria e Arabisë Saudite për shkak të moshës së pensionimit.
Njëjtë kishte ndodhur edhe me ish-ambasadorin Ramadan Gashi, i cili ishte kthyer nga Senegali, transmeton Demokracia.com.
Por, ndryshe nuk ishte vepruar as në rastin e ish-ambasadorit Muhamedin Kullashi, i cili e kishte përfunduar mandatin si ambasador në Francë sapo kishte arritur moshën e pensionimit.
Neni 90 i Ligjit për Shërbimin Civil, ndër të tjera, thotë që marrëdhënia e punës e nëpunësit civil përfundon me krijimin e kushteve dhe fakteve, pavarësisht nga dëshira e nëpunësit civil ose institucionit, kur nëpunësi civil arrin moshën e pensionimit.
Ndërsa, në nenin 91 të këtij ligji thuhet se mosha e pensionimit e nëpunësve civilë, si të gjinisë mashkullore, ashtu edhe të asaj femërore, është gjashtëdhjetepesë (65) vjeç.
Sipas këtij neni, nëpunësi civil informohet për përfundimin e punësimit, gjashtë muaj para datës së pensionimit, nga organi përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit punëdhënës.
Në Shërbimin Civil të Kosovës mund të lejohet puna vullnetare pa pagesë e nëpunësve civilë pas pensionimit deri në moshën shtatëdhjetë (70) vjeçare, por kjo mënyrë e punës vullnetare rregullohet me Rregullore të nxjerrë nga Qeveria.
Përkundër që Ministria e Punëve të Jashtme e kishte ditur që diplomati Skënder Durmishi ishte çështje javësh kur do ta arrinte moshën e pensionimit, ai ishte emëruar Ambasador i Kosovës në Shqipëri dhe aktualisht po qëndron kundërligjshëm në këtë pozitë diplomatike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është pyetur për këtë çështje, por ky institucion ka zgjedhur të hesht dhe të mos përgjigjet.