Skandali në BE e prek edhe Mogherinin, ish-ndërmjetësja e dialogut Kosovë-Serbi jep dorëheqje

12 dhjetor 2022 | 15:57

Policia belge i ka vënë në rrjetë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE). Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqje nga një OJQ të shtunën. Ajo për shumë vjet ishte ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi dhe është emri që bie më së shumti në sy në raportimet për skandalin që e ka tronditur Evropën.

Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka lënë pak punë të kryera në Bruksel me angazhimin e saj si ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi.

Emri i Mogherinit është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik këto ditë, pasi ajo ka dhënë dorëheqje nga bordi “Fight Impunity”, një organizate joqeveritare me njerëz të njohur në përbërje. Dorëheqja ka ardhur pasi disa zyrtarë evropianë, përfshirë sisa eurodeputetë dhe vetë nënpresidenten e Parlamentit Europian, Eva Kaili janë akuzuar se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga një vend i Gjirit që raportohet se është nikoqir i Kupës së Botës, Katari.

Doha i ka mohuar akuzat, por skandali ka marrë dhenë. Përveç Mogherinit, dorëheqje nga bordi “Fight Impunity” ka dhënë edhe ish-kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ish-komisionari evropian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, ish-eurodeputetja Cecilia Wikstrom dhe eurodeputetja Isabel Santos. Ata janë larguar pasi akuzat janë drejtuar edhe kah themeluesi i këtij bordi, ish-eurodeputeti italian, Pier Antonio Panzeri.

Federica Mogherini, që tani është rektore e Kolegjit të Evropës, do të shihet nëse preket direkt nga ky skandal, por “shefi” i saj në bordin “Fight Impunity”, Panzeri është arrestuar të premten nën akuzat për ryshfet dhe ndikim nga Katari.

Panzeri, ish-kryetar i nënkomisionit për të drejtat e njeriut të PE, siç kanë raportuar mediat ndërkombëtare, njihte disa njerëz të fuqishëm  dhe me sa duket i ka përdorur ata për interes të tij. Ai e njihte Mogherinin, për shembull, përmes anëtarësimit të tij në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Më pas Panzeri, i cili është larguar nga Parlamenti Evropian në vitin 2019, e kishte caktuar atë për t’u bashkuar me bordin e “Fight Impunity”, sipas një ndihmësi në Kolegjin e Evropës, ku Mogherini aktualisht është rektore.

Njerëzit përreth Mogherinit kanë mohuar ë se ajo ka ndonjë përfshirje në skandal, ndërsa kanë konfirmuar se ajo është larguar nga kjo OJQ të shtunën.

Një seri prej të paktën 16 bastisjesh nga policia federale belge të premten ka kapur në rrjet pesë persona. Raportohet edhe për të tjerë të arrestuar, ndërsa ata të deritashmit akuzohen për “anëtarësim në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.

Në këtë rast “dyshohet se pagesa e shumave të mëdha parash apo oferta e dhuratave të rëndësishme palëve të treta me pozicion politik dhe/ose strategjik brenda Parlamentit Evropian, ka ndikuar në vendimet e këtij institucioni”.

Skandali ka nxitur shumë reagime. Për këtë të hënën ka folur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Akuzat janë jashtëzakonisht shqetësuese, shumë serioze”, ka thënë ajo, duke theksuar se propozon gjithashtu krijimin e një organi të pavarur të etikës për t’i mbikëqyrur institucionet e BE-së.

Ndërsa përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet në lidhje me skandalin që ka prekur Parlamentin Evropian dhe kjo pritet të zë vend edhe në diskutimin në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. /GE

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Izmi Zeka Kosova kohët e fundit po merr rrugë…