Skandaloze, keqpërdoren fëmijët me figura që nesër mund t’i turpërojnë rëndë
Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkollat e Prishtinës kanë organizuar aktivitete për nder të kësaj dite.
Disa nga nxënësit e këtyre shkollave kanë vizituar Kuvendin e Kosovës, por ajo që bie në sy është se të gjithë fëmijët (nxënësit) mbajnë në duar fotografi të udhëheqësve të vendit, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe të presidentes Vjosa Osmani, raporton “Epoka e re”.
Fotoja që po qarkullon në rrjetet sociale ka ngjallur reagime të shumta në vend.
Ky aktivitet po shihet si keqpërdorim i fëmijëve për çështje politike. Gjithashtu kjo foto të kujton kohën komunizmit.
Një gjë të tillë nuk do të duhej ta lejonin drejtorët e këtyre shkollave të kryeqytetit.
Në lidhje me ketë ka reaguar edhe gazetari Halil Matoshi.
“Stop abuzimit politik të fëmijëve!”, ka shkruar Matoshi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Foto: Deputeti i LV-së, Armend Muja me nxënësit
Edhe profesori universitar, Avdi Smajljaj, ka reaguar në lidhje me ketë fotografi.
Ai ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se nuk duhet t’u mësojmë fëmijëve vlera autoritare, se si duhet lartësuar pushtetarët, duke mbajtur fotot e tyre në duar.
“Fëmijëve t’u mësojmë vlera liberal-demokratike, se si pushtetarët janë për t’u shërbyer qytetarëve e vendit, e se si atyre duhet kërkuar vazhdimisht llogari, e duhet mbajtur vazhdimisht përgjegjës”, ka shkruar ai.
Ilir Kërçeli, shef i kabineti të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se shprehin keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë e tyre.
“Në këtë foto po shihen fëmijët duke mbajtur fotografinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes. Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar Kërçeli.