Skandaloze: Martin Berishaj i merr zarfat me vota nga posta dhe i dërgon në ambasadë

06 shkurt 2025 | 15:58

Një ndërhyrje e rëndë dhe e paprecedentë në procesin zgjedhor ka tronditur Komisionin Qendror Zgjedhor. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka vepruar jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfet me fletëvotime nga posta dhe duke i dërguar në ambasadë. Ky veprim ka ngritur shqetësime serioze për mundësinë e manipulimit të votave të diasporës.

Në një takim online të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës në botë, vetë ambasadori Berishaj ka konfirmuar hapur se ka ndërhyrë në procesin e administrimit të votave të diasporës, raporton Infokusi.

Sipas burimeve të besueshme të Infokusit që kanë marrë pjesë në këtë takim, Berishaj ka deklaruar se ka tërhequr personalisht të gjitha zarfet me vota nga posta dhe i ka dorëzuar në ambasadën e Kosovës në Slloveni, ku ai drejton misionin diplomatik.

Ky pranim publik ka shkaktuar alarm tek të pranishmit, veçanërisht tek përfaqësuesit e KQZ-së, të cilët janë përgjegjës për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor. Dy burime të pavarura, të cilat ishin pjesë e këtij takimi, e kanë konfirmuar skandalin, duke shtuar se veprimi i ambasadorit përbën një shkelje të rëndë të procedurave zgjedhore dhe një rrezik të madh për manipulimin e votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur më herët shqetësimin për mundësinë e manipulimeve me votat e diasporës. Për këtë arsye, KQZ-ja ka organizuar trajnime shtesë me stafin diplomatik për të dhënë udhëzime të qarta mbi administrimin e procesit të votave jashtë vendit.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, KQZ-ja ka mbajtur edhe takimin e fundit online me ambasadorët dhe stafin tjetër diplomatik, ku është diskutuar rëndësia e respektimit të procedurave. Megjithatë, pranimi i ambasadorit Berishaj se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në administrimin e votave ka ngritur dyshime të mëdha mbi mbarëvajtjen e procesit dhe ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e votave të diasporës.

Ky skandal ka ngritur një sërë pyetjesh mbi ligjshmërinë e veprimeve të ambasadorëve.

Ndërsa në lidhje me reagimet e shumta se mund të ketë keqpërdorime gjatë transportimit të materialeve për votat e diasporës para tre ditësh kishte reaguar edhe KQZ-ja.

Në sqarim KQZ-ja ka theksuar se bartja e materialeve nga posta do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së me ndihmën e ministrisë në krye me Donika Gërvallen.

“Pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me transportimin e materialeve zgjedhore, përfshirë edhe pakot e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të japë sqarimet e mëposhtme: Tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo e fundit ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj. Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat”, thuhet në sqarimin e KQZ-së.

Kujtojmë se ambasadori, Martin Berishaj ka qenë i përfshirë edhe në disa skandale të energjisë në lidhje me tregtinë energjetike. Në lidhje me këto të fundit, Berishaj është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar grante…