Skandaloze/ Ministrja Hajdari jep urdhër të protokollohet vendimi i Bordit të Telekomit edhe në ditë pushimi
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari përmes emailit zyrtar ka kërkuar nga sekretari i Korporatës së Telekomit, Shekip Fazliu që vendimet e marra nga Bordi i Përkohshëm i Telekomit ditën e premte sa më parë të protokollohen, sepse, sipas ministres, nga informatat që ajo ka marrë nga Njësia Monitoruese për NP, dokumentet ende nuk janë të protokolluara.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i sekretarit të Korporatës, Shefik Fazliut, i cili ka kërkuar nga punëtoret e arkives që me kërkesë të aksionarit të protokollojnë vendimet e marra të Bordit të Përkohshëm të Telekomit.
Gazeta “Epoka e re” ka arritur të sigurojë komunikimin elektronik të ministres Rozeta Hajdari me sekretarin e Korporatës, Shekip Fazliu.
Vendimi për shkarkimin e menaxhmentit të Telekomit është marrë nga Bordi i Përkohshëm ditën e premte pas orarit të punës dhe nga zyrat e Ministrisë së Tregtisë e jo nga zyrat e Telekomit dhe gjatë orarit të punës.
Siç dihet dita e shtunë në të gjitha institucionet e Kosovës zyrtarisht është ditë pushimi, dhe punëtorët është dashur që edhe në këtë kohë pandemie të dalin në punë për të zbatuar vendimet urdhëruese nga aksionari i Telekomit, në këtë rast Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
/Epoka e re/