Skandaloze: Shteti nuk i paguan as mësimdhënëset lehona
Për shkak të grevës në arsim, Ministria e Financave ende nuk i ka ekzekutuar pagat për mësimdhënësit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, të mërkurën ka lënë të nënkuptojë se për mësimdhënësit nuk do të ketë paga për muajin shtator.
“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt Murati.
Krahas kësaj, shteti nuk i ka paguar as mësimdhënëset lehona të cilat nuk kanë qenë pjesë e grevës në arsim.
Një mësimdhënëse nga Prishtina, e cila është në pushim të lehonisë (emër i njohur për redaksinë e gazetës “Epoka e re”) ka bërë me dije se ende nuk është paguar nga shteti.
“Unë jam në pushim të lehonisë nga muaji maj i këtij viti dhe ende nuk me kanë dalë paga për muajin shtator. Sinqerisht nuk e di arsyen e mosdaljes së pagës që më takon me ligj”, ka thënë kjo mësimdhënëse për gazetën “Epoka e re”.
Ndërsa një sekretar i një shkolle në kryeqytet ka bërë me dije se për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike shumë mësimdhënëse nuk janë duke e shfrytëzuar komplet pushimin e lehonisë.
“Për shkak të situatës ekonomike, ku një pjesë e madhe e mësimdhënësve janë edhe në kredi, shumë lehona po kthen në punë në muajin e pesë të lehonisë”, ka thënë ky sekretar shkolle në kushte anonimiteti, duke shtruar se: “E tash t’u ndalet paga edhe mësimdhënësve lehona më të vërtet nuk ka kuptim”, ka thënë ky sekretar i një shkolle në Prishtinë.
/Epoka e re/