Skemë mashtrimi me TVSH-në, katër të arrestuar në Tiranë
Oolicia e Tiranës bën të ditur se katër persona janë arrestuar dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim për një skemë mashtrimi me firma fiktive për të shmangur TVSH-në dhe tatimfitimin.
Të arrestuar janë Gëzim Çela, 59 vjeç, Flamur Zoto, 67 vjeç, , Xhemal Kushova, 58 vjeç, dhe Ylber Molla, 58 vjeç. Ky i fundit dënuar më parë për “Mashtrim”.
“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin kishin krijuar një skemë mashtrimi duke krijuar gjashtë firma fiktive me nipte shëtitës, me seli në qytetin e Tiranës, me qëllim shmangien e pagesave të TVSH dhe tatimfitimin, duke i shkaktuar shtetit dëm në vlerë TVSH-je dhe tatimfitimi në vlerën e 350 milionë lekë të reja”, thotë policia e Tiranës.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas të tjerë për të cilët për shkak të hetimit nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.
Materialet proceduriale ju kaluan Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartepërmendur, për veprat penale të “Fshehje të ardhurash”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Falsifikimi i vulave stampave dhe formularëve”.