“S’kemi pasur kohë…”, çfarë po ndodh me aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në BE

25 dhjetor 2022 | 15:21

Republika Çeke përfundon udhëheqjen të Bashkimin Evropian (BE) në fund të këtij viti. Krahas luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor ishte në krye të agjendës. Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, liberalizimin e vizave Kosovës dhe hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Martin Kosatka, në një intervistë për portalin “European Western Balkans” është pyetur edhe lidhur me deklaratën e kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Presidenca Çeke nuk do të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duke pasur parasysh datën kur Kosova vendosi të dorëzojë aplikacionin (15 dhjetor), nuk kemi pasur kohë të bëjmë më shumë se sa t’i informojmë ambasadorët e COREPER-it të shteteve anëtare të BE-së se Kosova e ka dorëzuar aplikacionin. Presidencës së ardhshme suedeze do t’i takojë të fillojë konsultimet me shtetet anëtare”, ka thënë Kosatka.

Ai ka përmendur samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur për herë të parë në këtë rajon, në Tiranë.

Ai ka thënë se aty BE-ja jo vetëm që ka rikonfirmuar angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por ka theksuar se “kemi bërë thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit”.

“Për më tepër, Kosova ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ai e ka renditur të dytën në sukseset e Presidencës Çeke lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Suedia, vendi i ardhshëm që do të udhëheq me BE-në, ka përcaktuar katër qëllime: ruajtjen e unitetit evropian dhe forcimin e sigurisë, tranzicionin e gjelbër dhe politikën energjetike, forcimin e konkurrencës evropiane dhe ruajtjen dhe rëndësinë e vlerave evropiane, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të nderuar drejtues të klubeve, trajnerë, futbollistë, gjyqtarë, tifozë, gazetarë…