Skenari më real për Maqedoninë, shkuarja në zgjedhje të reja
Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka treguar për atë që do të mund të ndodhë pas referendumit në Maqedoni. Ai ka thënë se skenari më ideal është që koalicioni qeverisës ta bindë VMRO-DPMNE-në për ta votuar marrëveshjen me Greqinë në Kuvend ndonëse, sipas tij, kjo vështirë se do të ndodhë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka thënë se më e mundshme është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në mënyrë që koalicioni aktual ta marrë shumicën e nevojshme të mandatave për ta miratuar këtë marrëveshje. “Mendoj se skenari më real do të jetë shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme deri në fund të vitit, në mënyrë që ky koalicion qeverisës pro euroatlantik ta sigurojë shumicën e mjaftueshme prej dy të tretave të votave që t’i shtyjnë ndryshimet kushtetuese dhe me këtë t’i mbyllë dy procese strategjike të cilat nuk mund t’i mbyllë aktualisht me këtë numër të vogël të deputetëve, procesin e mbylljes së kontestit për emrin me Greqinë dhe për rrjedhojë hapjen e rrugës euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe avancimin në procesin negociator për anëtarësim me BE-në”, ka thënë Reka.
Ai ka treguar edhe si do të mund të ndodhë kjo. “Bile konsideroj se nëse vjen deri të zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhë që për të parën herë të formohet një bllok pro euroatlantik apo pro evropian jo vetëm nga koalicioni ekzistues qeverisës, por atij do t’i bashkoheshin edhe partitë më të vogla, duke i përfshirë edhe ato shqiptare që nuk janë tani në qeveri, në mënyrë që ta shtyjë përpara këtë vijë strategjike sigurt me dy të tretat e votave”, është shprehur ai.
Në këtë intervistë Reka ka komentuar edhe rezultatin e referendumit, duke thënë se, pavarësisht se nuk është arritur numri i kërkuar, nuk mund të injorohet fakti se 91 për qind e qytetarëve në këtë referendum kanë votuar për Maqedoninë euroatlantik. Reka ka bërë me dije se ndikimi rus në këtë referendum ishte evident, duke paralajmëruar se ky ndikim nuk duhet injoruar as në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. “Si përfundim mund të them se mosdalja e mbi gjysmës së elektoratit në referendum tregon se sa i fuqishëm ka qenë ndikimi rus dhe se sa duhet pasur kujdes në parashikimet apo përcaktimet e ardhshme strategjike për tërë rajonin. Sidomos këtë duhet të kemi parasysh në Kosovë gjatë procesit të finalizimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Unë llogaris se Rusia ende do të jetë shumë fuqishëm e përfshirë në anën e Serbisë në këtë proces”, ka thënë Reka
“Epoka e re”: Z. Reka, rezultatet e referendumit në Maqedoni për emrin e ri tregojnë se nuk është arritur censusi për dalje mbi 50 për qind. Cili është komenti juaj?
Reka: Pas 25 vjetësh betejë diplomatike për emrin e shtetit, Maqedonia prej kësaj vere ka hyrë në betejën me numra. Beteja e parë ishte me referendumin dhe e dyta është në Kuvend për ndryshimet kushtueses. Në të parën nuk u sigurua numri i nevojshëm për censusin, kurse në betejën e dytë nevojiten 80 vota për ndryshimet kushtetuese. Mendoj se referendumi ka pasur dy porosi: e para, është procedurale-teknike dhe kjo tregon se nuk është kaluar pragu i kërkuar që ishte mbi gjysma e elektoratit të dilnin në votime, kurse porosia e dytë është përmbajtjesore e politike, ku shumica absolute e votuesve prej 91 përqindësh kanë votuar pro NATO-s dhe BE-së. Madje kjo përqindje kaq e lartë për orientimin euroatlantik të vendit është edhe shumë më e lartë se në të gjitha anketat që janë bërë vitet e fundit për të njëjtën çështje, ku përkrahja nuk e kalonte 80 përqindëshin. Me fjalë të tjera, porosia është shumë e fuqishme, se qytetarët e Maqedonisë janë pro orientimit strategjikisht euroatlantik për NATO dhe BE. Referendumi ishte vetëm një pjesë e procesit, madje mbajtja e tij nuk ishte detyrimi juridik nga marrëveshja e Prespës, sepse në nenin, 1 paragrafin katër, pika V i lejonte Maqedonisë si opsion nëse ajo dëshiron të vizojizoj` referendumin. Ndërsa detyrim obligativ-juridik nga marrëveshja e Prespës është ndryshimi i Kushtetutës ashtu siç parashihet në nenin 1, paragrafin 4, pikën G dhe D të kësaj marrëveshje.
“Epoka e re”: Pritjet kanë qenë që do të arrihet censusi mbi 50 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rezultat?
Reka: Konsideroj se kjo në një mënyrë është edhe pasqyrim real i elektoratit, sepse me lista të papastruara, me një numër të votuesve që vetëm figurojnë aty, por realisht jetojnë jashtë vendit, nuk mund të arrihet një prag kaq i lartë. Gjithsesi, në javët e fundit në vend u shtua edhe propaganda. Dhjetëra organizata të tubuara në platformën ‘Bojkotoj’, të cilat jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe financiarisht kanë qenë të mbështetura nga një fuqi e madhe e jashtme, së cilës nuk i konvenonte anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Me fjalë të tjera, nëse më 28 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm rus do të deklaronte haptas kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, më duket se çdo gjë është thënë.
“Epoka e re”: Pra, ndikimi i shumëpërfolur rus në rajon në këtë referendum ka ardhur në shprehje?
Reka: Për këtë çështje unë kam shprehur brengat e mia edhe më herët. Ndikimi rus dhe ndërhyrja ruse në zgjedhjet elektorale në shtetet e fuqishme siç ishin ShBA-ja, Gjermania, Franca dhe në disa vende të Evropës qendrore dhe lindore ishte evidente. Kjo fuqi përmes së ashtuquajturës ‘luftë hibride’, me shpërndarjen e lajmeve të rrejshme, pati ndikim jo të vogël edhe në Maqedoni. Mirëpo ajo që gëzon është se 91 për qind e votës pro referendumit është shifra më e lartë e atyre që kanë votuar për Maqedoninë euroatlantike.
“Epoka e re”: Çfarë mund të ndodhë tash pas referendumit?
Reka: Pas këtij rezultati të referendumit unë parashikoj dy skenarë të mundshëm. Skenari i parë është ideal, që koalicioni qeverisës ta bindë VMRO-DPMNE-në t’i bashkohet votimit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese me dy të tretat e votave. Mirëpo kjo është pak e besueshme, sepse frikësohem se VMRO-ja do të kërkonte amnisti penale për ish-liderin e saj dhe për funksionarët e tjerë të kësaj partie, të cilët janë të akuzuar për vepra penale. Kështu që, është pak e besueshme që qeveria aktuale do të bjerë në presionin e VMRO-së ngaqë në fund të fundit këtë nuk do ta lejojnë NATO-ja dhe BE-ja. Këto të fundit me fillimin e screeningut tashmë kanë përcaktuar dy fusha urgjente prioritare në të cilat nuk do të ketë kompromise: pavarësia e gjyqësorit dhe sundimi i ligjit. Prandaj, mendoj se skenari më real do të jetë shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme deri në fund të vitit, në mënyrë që ky koalicion qeverisës pro euroatlantik ta sigurojë shumicën e mjaftueshme prej dy të tretave të votave që t’i shtyjnë ndryshimet kushtetuese dhe me këtë t’i mbyllë dy procese strategjike të cilat nuk mund t’i mbyllë aktualisht me këtë numër të vogël të deputetëve: procesin e mbylljes së kontestit për emrin me Greqinë dhe, si rrjedhojë, hapjen e rrugës euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe avancimin në procesin negociator për anëtarësim me BE-në. Bile konsideroj se nëse vjen deri te zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhë që për të parën herë të formohet një bllok pro euroatlantik apo pro evropian, jo vetëm nga koalicioni ekzistues qeverisës, por atij do t’i bashkoheshin edhe partitë më të vogla, duke i përfshirë edhe ato shqiptare që nuk janë tani në qeveri, në mënyrë që ta shtyjë përpara këtë vijë strategjike sigurt me dy të tretat e votave.
“Epoka e re”: Cili ka qenë mesazhi i këtij referendumi për rajonin, konkretisht për Kosovën, e cila është në fillim të fazës finale të dialogut me Serbinë?
Reka: Porosia e parë për rajonin është përkushtimi dhe devotshmëria e 91 për qind të atyre që kanë votuar për Maqedoninë euroatlantike, dhe kjo është rrugë e pakthyeshme. Pra, 91 përqindëshi nuk mund të injorohet vetëm për shkak se më shumë se gjysma e qytetarëve nuk kanë dalë në votim. Nëse në një proces elektoral siç është referendumi dalin mbi 91 për qind, pra pro NATO-s dhe BE-së, atëherë tregon se kjo shumicë nuk mund të injorohet nga faktorët e tjerë, përfshirë edhe Rusinë. Sigurisht se duhet të jemi të përgatitur për befasi të llojllojshme, sepse kjo edhe një herë tregon se pse nuk duhet nënvlerësuar rëndësinë dhe faktorin rus jo vetëm në çështjen e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, por edhe gjatë procesit të finalizimit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Si përfundim mund të them se mosdalja e mbi gjysmës së elektoratit në referendum tregon se sa i fuqishëm ka qenë ndikimi rus dhe se sa duhet pasur kujdes në parashikimet apo përcaktimet e ardhshme strategjike për tërë rajonin. Sidomos këtë duhet të kemi parasysh në Kosovë gjatë procesit të finalizimit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Unë llogaris se Rusia ende do të jetë shumë fuqishëm e përfshirë në anën e Serbisë në këtë proces.
Muhamet KOCI