Skender Hyseni: Nuk jam kandidat për kryeministër!
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Skender Hyseni, ka reaguar pas raportimeve në medie se ai është përmendur në strukturat e kësaj partie si kandidat për kryeministër.
Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se nuk është kandidat për të parin e qeverisë.
“Pra, janë spekulime dhe asgjë më shumë, e të cilat vijnë nga qarqe të caktuara që për synim të vetëm kanë krijimin e hutisë dhe konfuzionit”, ka shkruar Hyseni.
Postimi i plotë i Hysenit:
Të nderuar miq dhe qytetarë,
Duke respektuar pafundësisht lirinë e medias, parim ky të cilin unë e kam të shenjtë, jam i detyruar që të shpreh indinjatën time me spekulimet e sotme qe kanë lakuar emrin tim si kandidat i LDK-së për Kryeministër. Interesimit të shumë gazetarëve sot po u përgjigjem përnjëherë! Kjo çështje nuk është shtruar asnjëherë në organet e partisë. Nuk jam unë kandidat! Pra, janë spekulime dhe asgjë më shumë, e të cilat vijnë nga qarqe të caktuara që për synim të vetëm kanë krijimin e hutisë dhe konfuzionit.
Lidhja Demokratike e Kosovës është parti shumë serioze dhe rrjedhimisht çdo veprim i saj në këtë drejtim do të bëhet rigorozisht në pajtim me procedurat kushtetuese.
Pra, ashtu siç ka konstatuar kryetari i LDK-së Isa Mustafa, pas votimit të KP-së: ” Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”
LDK do të vendos për kandidatin, vetëm pasi të ketë marrë mandatin për të krijuar qeverinë duke respektuar procedurat kushtetuese. Deri atëherë, të gjitha pra, janë spekulime!