Skënder Thaçi: Qeveria e ardhshme ta kthejë vëmendjen kah turizmi malor

15 mars 2021 | 11:15

Nënkryetari i Odës i Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Skënder Thaçi, ka thënë se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet turizmin malor.

Ai ka theksuar se që njëzet vjet pas çlirimit, qeveritë e Kosovës turizmin malor nuk e kishin prioritet.

“Shpresoj se qeveria e ardhshme do ta ketë prioritet turizmin malor, pasi kemi shumë vende turistike si Bjeshkët e Rugovës, Brezovica, Sharri e të tjera që janë atraksione turistike dhe kanë potencial të zhvillimit. Në këtë drejtim duhet të ketë politika qeveritare që ndihmojnë këtë sektor”, ka thënë Thaçi për gazetën “Epoka e re”. Sipas tij, sektori i bujqësisë dhe turizmit janë dy sektorët që mund të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe në punësime.

“Qeveria në vazhdimësi ka mbështetur sektorin e bujqësisë me grante dhe subvencione, mirëpo një gjë e tillë s’ka ndodhur për turizmin malor. Si protagonist i kësaj fushe mund t’ju them se ndihemi të diskriminuar”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Odës i Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka theksuar se qeveria e ardhshme duhet të ketë strategji të qartë turistike në mënyrë që qytetarët të orientohen kah turizmi malor vendor.

“Qeveria që lamë pas ka bërë gabime të mëdha, sepse mbylli pishinat, mbylli restorantet dhe qytetarët e Kosovës udhëtuan drejt vendeve të rajonit si në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut, duke i shpenzuar kështu paratë e tyre në këto vende dhe duke e dëmtuar dhe më shumë turizmin vendor. Mos të harrojmë se Rugova ka bukuri të shumta, gjithashtu ka ajrin e pastër. Ka të gjithë parametrat që i nevojitën turizmit, mirëpo duhet vetëm të mos ndëshkohemi me masa diskriminuese nga Qeveria e Kosovës. Shpresojmë se qeveria e ardhshme nuk do ta bëjë këtë gabim dhe nuk do të na dëmtojë edhe më shumë”, është shprehur ai.

Thaçi ka folur edhe për sfidat me të cilat janë përballur gjatë kohës së pandemisë. “Me mbylljen e restoranteve neve na është dashur që të gjithë mallin që kishim në stok për kuzhinë ta gjuajmë dhe një pjesë ta falim. Kjo na ka kushtuar materialisht. Po ashtu, punëtorët të cilët pushuan në atë kohë është dashur t’i paguajmë dhe më t’u kthyer më pas në punë s’kishim numër të klientëve për t’u shërbyer. E tërë kjo ka rënduar ambientin e të bërit biznes dhe turizmin malor”, ka deklaruar Thaçi.

Sa i përket ndihmës financiare me anë të pakove për rimëkëmbjen ekonomike, Thaçi ka thënë se kjo ndihmë nuk ka qenë e mjaftueshme. “Ndihma e dhënë nga Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e mjaftueshme. Shto këto faktin edhe për shkak të mbylljes që kishim për një kohë dhe ikjes së turistëve në vendet e rajonit si në Shqipëri dhe Maqedoni”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka thënë se infektimi me Covid-19 nuk vjen nga restorantet dhe turizmi malor, por nga shkollat dhe institucionet. “Unë isha në ndërtesën e re të Qeverisë së Kosovës dhe aty para ashensorit prisnin pesëmbëdhjetë persona, pra një grumbull njerëzish qëndronin duke mos respektuar masat kundër Covidit. Kurse neve afaristëve na kufizojnë. Ju e dini si kanë vepruar në fushatë dhe çfarë grumbulli njerëzish kishte në ambiente të mbyllura”, ka bërë me dije Thaçi.

Ndërkaq sa i përket mundësisë së mbylljes si pasojë e rritjes së numrit të rasteve me Covid ditët e fundit, Thaçi ka thënë se mbyllja e sërishme do të ishte fatale për bizneset në Kosovë.

“Ne assesi nuk jemi  kundër masave të vëna nga Qeveria e Kosovës dhe e kemi respektuar çdo masë duke filluar nga distanca, mbajtja e dizenfektuesve dhe numri i limituar. Në ‘Magra Austira’ çdo masë është respektuar. Mirëpo që të mbyllen edhe një herë bizneset, mendoj se ky veprim duhet të anashkalohet nga Qeveria e Kosovës. Turizmi malor duhet të jetë në agjendë të qeverisë së re. Ne respektojmë çdo masë, mirëpo assesi ta mbyllim veprimtarinë tonë dhe t’i mbyllim dyert për turistët. Një pjesë e madhe e popullatës e ka kaluar Covidin. Ne jemi njëmbëdhjetë anëtarë të familjes dhe dhjetë prej nesh e kanë kaluar Covidin, prandaj them se duhet vetëm kujdes dhe kurrsesi mbyllje”, ka deklaruar Thaçi.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (6) Shkruan: Bedri Islami…