Skenderaj bëhet me ndërmarrje të re publike
Pas një pune intensive nga grupi punues, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pranuar çertifikatën e regjistrimit të ndërmarrjes publike lokale “Eko Natyra”, ndërmarrje kjo e cila do të kujdeset për mirëmbajtjen e hapësirave publike, shesheve, menaxhimin e mbeturinave, kultivimin dhe mbjelljen e drunjve dekorativ dhe luleve, mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve e objekteve publike në komunën tonë etj.
Me këtë rast, kryetari Jashari është shprehur i lumtur që me themelimin e kësaj ndërmarrje publike lokale përveç përmirësimit të gjendjes së mjedisit do të zvogëlohet edhe papunësia në Komunën e Skenderajt përmes punësimit të të rinjve që do të punojnë në këtë ndërmarrje.
“Për këtë sukses të arritur, bashkë me nënkryetarin Lushtaku falënderuam Komisionin Komunal të Aksionerëve me kryesues Gani Kerolli dhe anëtarët-asambleistë, Naser Bajraktari e Dorarta Ndreshaj, për angazhimin dhe punën e bërë. Kështu hap pas hapi me projekte konkrete po arrijmë të jetësojmë misionin tonë për zhvillimin e Skenderajt”, ka thënë Jashari.