Skenderaj përkujton katër dëshmorë të kombit
Në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt, nënkryetari i kësaj komune, Nuredin Lushtaku, drejtorë komunalë, familjarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë, kanë bërë homazhe te varret e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Beqir Hajrizi me djemtë Azemin e Faikun, si dhe kushëriri i tyre Sabit Ahmetaj, në nderim të 21-vjetorit të rënies së tyre në altarin e lirisë.
Po ashtu, në vendin ku kanë rënë këta dëshmorë në malet e fshatit Radishevë, është bërë edhe zbulimi i lapidarit, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë nënkryetari Lushtaku, familjarët dhe bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke përkujtuar katër dëshmorët, ka theksuar se Kosova është e lirë falë sakrificës së tyre. “Për këta trima është ngritur edhe lapidari, pikërisht në vendin ku edhe kanë rënë heroikisht, në fshatin Radishevë. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do t’i nderojmë gjithmonë, sepse çdo ditë e jona e jetuar në liri, bëhet falë sakrificës së tyre. Lavdi e përjetshme për heronjtë e kombit!”, ka thënë Jashari.
/Epoka e re/