Skenderaj mban dy muaj aktivitete për diasporën
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nga sot (e hënë) do të fillojnë aktivitetet argëtuese dhe kulturore për ndër të bashkatdhetarëve të cilët ndodhen për pushime në vendin e tyre të lindjes. Kjo komunë ka bërë me dije se gjatë dy muajve do të organizohen edhe panaire të veshjes sonë tradicionale, muzikë në sheshin “Adem Jashari” por edhe aktivitetet e tjera të larmishme, në mënyrë që bashkatdhetarët dhe qytetarët të argëtohen gjatë muajve të verës.
Sipas njoftimit të Komunës së Skenderajt, kryetari Jashari u ka uruar mirëseardhje të gjithë bashkatdhetarëve të cilët janë në vendlindje për pushime. “Për të ruajtur traditën e zemërgjerësisë së drenicasve, vazhdon edhe sivjet Sofra e Drenicës me këngë e valle, humor e poezi, rreth së cilës presim me dashamirësi bashkatdhetarët tanë. Nga e hëna përgjatë dy muajve në vazhdim, sheshi ‘Adem Jashari’ do të gjallërojë nga aktivitetet e organizuara, në nderim dhe mirë së ardhjeje për motrat dhe vëllezërit tanë nga diaspora”, ka thënë Jashari.