Skënderbeu dhe laboratori teatror i Fadil Hysajt
Për shfaqjen “Skënderbeu ose dashuri dhe liri”, autor i tekstit Tomas Winkop, luajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës
Agron Gërguri
Kur Skënderbeu ishte nisur, si Gjergj i skulpturuar për në Prishtinë, kishte një entuziazëm, thuaja admirim plebishitar, për figurën e tij, e cila kishte ndikim historik jo vetëm te shqiptarët. Më vonë filluan edhe disa kontestime të figurës së tij, sidomos pas daljes në sipërfaqe të grupeve fetare ekstreme. Dikush madje e akuzoi Skënderbeun për tradhti. Viti që iku ishte shpallur viti i Skënderbeut në shënim të 550-vjetorit të vdekjes. Në kuadër të aktiviteteve përkushtuese, Teatri Kombëtar i Kosovës zgjodhi një tekst të një autori anglez, Tomas Winkop, jo edhe aq i njohur. Në fillim u caktua për regjisor një italian, por më vonë ky mision iu dha Fadil Hysajt i cili kishte një përvojë teatrore të pasur, edhe pse nganjëherë i përcjell me polemika, ku nis dhe ku duhet të përfundojë shfaqja e Fadilit, i cili njihet se punon deri edhe një minutë para se të fillojë premiera.
Fadil Hysaj tekstit të anglezit Tomas Winkop (“Skënderbeu ose dashuri dhe liri”) i kishte kundërvënë një tekst të tij si zbërthyes i materies së trajtuar nga autori anglez. Si autor i shfaqjes, Hysaj figurës së Skënderbeut do t’i qaset së brendshmi, që në kontekstin e krijimit të shfaqjes i bie të dalë pas perdes, duke e formuluar idenë për Skënderbeun përmes procesit të krijimit të shfaqjes, aty ku aktualisht zien thashethemnaja, ambicia, serviliteti në marrëdhënie dhe steriliteti në dashuri. Sigurisht duke e lexuar si të mëngët tekstin e autorit anglez, për idenë e tij skenike, Hysaj shkruan pjesën e procesit laboratorik të lindjes së shfaqjes duke e vënë regjisorin si personazh, rol të cilin e interpreton Shpëtim Selmani, një aktor i talentuar si poet, apo poet i talentuar për aktrim, ndërsa rolin e sulltan Muratit i jep aktorit Ismet Azemi, i cili thuaja e mbante i vetëm pjesën e autorit anglez duke e zbërthyer sulltan Muratin edhe si pushtetar edhe si njeri, por jo aq bindshëm si dashnor. Ndërkaq rolin e Skënderbeut ia kishte besuar Bujar Ahmetit, porse në proces kishte edhe mëtues të tjerë për këtë rol (Fatos Lajçi, Naim Berisha).
Duke e kontekstualizuar ambientin teatror ku krijohet shfaqja, dhe se kush cilin rol do ta luajë, me betejën e Skënderbeut me sulltan Muratin, se cili do ta fitojë dashurinë e Arianises si lajtmotiv domethënës në kuptimësimin e lirisë, shtjellohet me ndërthurje skenike tema e shfaqjes së Fadil Hysajt.
Aty ku dashuria e ka humbur shtratin
Në një dialog midis aktorit që interpreton Skënderbeun dhe regjisorit, aktori ankohet se nuk po gjen ku e si ta ushqejë motivin e personazhit, ndërsa regjisori ia kthen “Mos e lyp te vetvetja se nuk e gjen… kërkoje diku jashtë vetes”.
Kështu disi është raporti ynë real me shenjtëritë e ndërtuara ndër shekuj si motivim ekzistence dhe përkatësie, porse esenca mbetet e paprekshme dhe shtron pyetjen a jemi ne trashëgimtarë të lavdive e të lavdishmëve të cilët i festojmë?! Derisa ta gjejmë ku rri e vërteta, aktorit (Bujar Ahmetit në rolin e Skënderbeut) i mbetet intonimi ironik i pathënë: “Nuk po më mjafton trimëria e Skënderbeut. Kam energji të pakonsumuar trimërie edhe më tepër sesa që po më ushqen Skëndergjergji, po ku ta harxhoj se?!”
Dhe këtu pastaj nyjëzohet problemi të cilin Hysaj do ta shqyrtojë me ne e për ne, për të mbërritur deri te mesazhi jo didaskalik, por mendimtar, dilematik. Kush jemi, çfarë jemi dhe çfarë na mungon për të qenë ata që duam të jemi?! Si një tragjikë e identitetit të prekshëm i cili aktualisht është vetëm motivim poetik. Simbolikë e cila mund të jetë ajo që mendojmë, por edhe diçka krejt tjetër, sepse kështu jemi ne. Dhe shpesh në ngazëllim e sipër e harrojmë përmbajtjen duke e deklaruar mburrjen si krenari të rrejshme
Shfaqja pastaj na krijon dilemën tjetër paragjykuese, e cila na frikëson me rrënim të mitit. Cila ishte nëna e Skënderbeut, origjina e saj? Këtë dilemë të frikshme në mënyrë fantastike na e sjell Hysaj përmes personazhit të cilin e interpreton Fatime Sefaj, me një paraqitje të fanitshme, së cilës sikur i kanë thënë “Mos fol” sepse në ambientin e kontaminuar me krenari të rrejshme rrezikon të rrënosh Skëndergjergjin, skulpturën e tij prej betoni, e cila është derdhur edhe në shumë figura të tjera kombëtare të festës sonë të krenarisë.
Duke dashur të depërtojë në dej të tjerë të qenësisë kombëtare, me fytyrë njerëzore, figurën e Skënderbeut Hysaj e sjell në kontekst të përgatitjes së shfaqjes. Ku regjisori (Shpëtim Selmani) dhe aktori “luftojnë” për ta vënë autoritetin mbi një masë populli apo komuniteti aktorësh që grinden mes vete për statusin. E ku në margjinë të ngjarjes, sikurse në beteja të mëdha, ka luftëtarë të devotshëm të cilët i harrojmë ashtu si në Teatër që ka aktorë të talentuar të cilëve nuk u jepet rasti (partiturë e shkëlqyeshme e Edona Reshitajt).
Prania e të tjerëve në provat e shfaqjes thuhet nuk është e preferueshme, përveçse në metodën e Fadil Hysajt, i cili teatrin e konsideron një fabrikë idesh të cilat nganjëherë edhe nuk arrijnë të funksionalizohen deri aty ku mbërrin imagjinata e Hysajt, përkatësisht deri te mesazhi si një produkt i paketuar me të cilin spektatori nuk mund të shërbehet menjëherë. Jo, Hysaj me produktivitetin e mendjes së tij krijuese do të interferojë në idetë, mendimet dhe gjykimet stereotipe, duke i shqyrtuar ato bashkë me spektatorin, edhe me rrezikun që nganjëherë të keqkuptohet, sidomos kur lexohet sipërfaqësisht. Pra, Hysaj, ashtu si veten, e do të angazhuar edhe spektatorin, një lloj teatri forumë, ku gjithçka varet nga fryt apo jo i idesë dhe pasojave të aplikimit të saj në reciprocitet.
Liria e dehur nga mburrja
Hysaj thjesht nuk na lë ta kapërcejmë lehtë shfaqjen. Ai detyrimisht na fut në procesin e të menduarit për atë që po shohim, apo në procesin e gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, shpesh edhe mund ta teprojë duke na marrë si fëmijë përdore për të na dërguar deri aty ku fillon mendimi dhe kështu nganjëherë sikur e humbet masën si kriter estetik. Por, asnjëherë nuk mund ta akuzojmë se është i zbrazët në shprehjen teatrore dhe i përciptë në atë që thotë. As ta rreshtojmë në ndonjë farë trendi të zhurmës si estetikë urbane e cila imponohet që sa kohë me disa shfaqje ekzaltuese të cilat vjelin spektatorin me negativitet të theksuar, i kontekstualizuar politikisht, krejt artificialisht.
E ngritur në provokim estetik, shfaqja Skënderbeu… përcakton shprehjen origjinale të Hysajt si regjisor dhe si intelektual i cili pafundësisht insistueshëm do që të na japë mundësi që të shohim diçka që nuk e shohim dot, derisa atë që duhet ta shohim jemi vetë ne, është vetja jonë. Insistues deri në “tepri”, duke na dhënë lajtmotive, e nëntema të cilat nganjëherë rebelohen dhe bëhen edhe pa qëllim, por nga nevoja e shprehjes polifigurative metaforat e ngufatin njëra-tjetrën njëjtë siç po na ndodh neve me lavdinë, heroizmin, lirinë dhe dashurinë të cilat i kemi dehur për t’i mashtruar me autorësinë tonë. Unë e bëra, unë do ta bëj, unë jam më i forti e tjera shkallë të ngritjes së vetvetes pa kriter e masë.
Arti si trimëri dhe trimëria si art
Nga një kaos në tjetrin shqiptarët në nevojën e tyre për liri dhe dashuri si një mungesë permanente, herë-herë fizikisht e arritshme, por asnjëherë e përmbajtur së brendshmi deri në pikën e unitetit, i cili do na të kuptimësonte jetën e cila s’bëhet pa dashuri.
Këtu diku na shpie mjeshtëria e Hysajt si regjisor dhe mesazhin që ai do të na japë, si një popull humbës i madh eskilian i cili nuk e ka funksionalizuar veprën e Skënderbeut, duke e injektuar vetëm lavdinë e tij në krenari të rrejshme të cilën pastaj, kur ndeshemi me të tjera realitete, duam ta heqim si barrë e huaj.
Duke e parë procesin e prishjes së sistemit të vlerave deri në gërdi, ku nuk kursehet as Skëndergjergji. Hysaj qëllimisht insiston të na dërgojë deri në buzë të humnerës morale, përgjithësisht njerëzore, ku po rrëshqasim, apo thuaja se kemi rënë. Ndoshta, në shikim të parë duket se disa nga personazhet e dramës bazë (të Tomas Winkopit) nuk do të duhej të destrukturoheshin si tekst për ta forcuar kontrapunktin skenik. Por, arsyeja për të ndrydhë të keqen tek artisti gëlon përherë dhe Fadili nuk pranë së hetuari skenikisht se ku jemi, duke mos e përjashtuar as veten prej aty ku nyjat e smirës janë lidhur keq, për t’iu kundërvënë me art bijve të gënjeshtrës të cilët po operojnë me të vërteten sikur janë pronarët e vetëm të saj.
Sigurisht se në morinë e çështjeve që prek shfaqja duke operuar nën lëkurë, me lajtmotive që zbërthejnë karakterin e “papërmirësueshëm” të njeriut politik këtu në Kosovë e gjetiu në Ballkan, Evropë, gjithandej në Botë e cila po ndërron, po ndryshon e artistit si Hysaj i duket se kahja nuk është e drejtë. Lufta e Skënderbeut gjithsesi ka qenë e drejtë, por çka t’iu bësh atyre që tash së fundi kanë nxjerrë produktin e rrezikshëm “sektin e pastër”, me mandatin e Allahut për t’ua marrë jetën të tjerëve, këta apo ata nuk e njohin mundësinë që Gjergji të jetë edhe Skënderbe. Natyrisht se shfaqja nuk ka mundur t’i japë përgjigje secilës temë nga aktualiteti epidemik i vetëmohimit që na ka përfshirë, porse “detyrimisht” na bënë të ndihemi si pjesë e procesit të zbërthimit kush qenkemi ne që lashtësinë e përkatësisë e përpijmë me çaj, alkool apo rrahje gjoksi, duke u munduar ta argumentojmë praninë tonë në histori e që jo rrallë ngjitemi pas dukurive që prishin strukturën së cilës i takojmë.
Në shfaqjet e Hysajt nuk gjen stereotipa të ndikimit. As ashpërsinë e gjakut të Artos, as mundimin fizik të Grotovskit, as varfërinë skenike të Brukut, porse këmbëngulësish e identifikojmë si regjisor me trajtim mendimtari, thënë ndryshe ai provokon të menduarit aktiv dhe bashkë me spektatorin ngulmësisht insiston në shqyrtim, vetëshqyrtim, analizë, zbërthim përmes poetikës së dashurisë si supermotiv dhe përhershmëri… ai bashkë me spektatorin mbledh të dhëna në raportin skenë-jetë për ta përmbajtur mesazhin i cili shpesh na vjen si dilemë sepse në dilemë rri ndjenja e fjetur e së vërtetës
Përzgjedhje e mirë e ekipit të shfaqjes
Aktorët e angazhuar ishin në kuadër të detyrave komplekse që ua kishte dhënë regjisori Hysaj. Në rolin e Skënderbeut Bujar Ahmeti ka hyrë në lëkurën personazhit siç e ka ideuar Hysaj, edhe pse vjen me ndikim të Artur Uit, realizon bukur sidomos dilemat të jesh apo të mos jesh Skënderbe, ku të gjithë e mendojnë veten të tillë.
Sulltani të cilin Hysaj e dekompozon si njeri, duke e riformuluar përmbajtjen e tij në një partiturë brilante të aktorit Ismet Azemi (skena në burg, kafaz), ku me veprime foljore e fizike arrin të kapë regjistra të lartë të interpretimit, me çka përmbush kërkesën e regjisorit për ta vënë në dukje impotencën dashurore e cila kthehet në potencë dhune.
Interpretja Sheqerie Buqaj në të gjitha personazhet që paraqitej sikur ishte ajo mbledhësja e dashurive të humbura dhe se pikërisht kur mendonte se e gjeti, po atëherë konstatonte se ajo i mungon. Shndërrimet brilante nëpër dejtë e formësimit të karaktereve e bënin të kuptueshme detyrën skenike e cila përmbajtjesohej edhe kur vepronte me urrejtje fanitëse.
Bislim Muçaj nga plejada e doajenëve të aktorëve të Kosovës si me figurë, të folme e lëvizje na e formulonte shqiptarin sipas asaj që idealisht e mendojmë, burrërinë, guximin, besën, durimin dhe urtinë… timbri i tij bëhej melodia e veprimit të tij fizik.
Edhe aktorët e tjerë, Vjosë Tasholli, e cili nxori mjeshtërisht bukurinë e shpirtit para bukurisë fizike, Dibran Tahiri fisnikërinë dhe bujarinë, Armend Baloku, Farsi Berisha plastik dhe i zhdërvjellët, Teuta Krasniqi impozante, Donika Ahmeti bindëse, thuaja të gjithë ishin edhe personazhe konkrete edhe personazhe ideore të Fadil Hysajt.
Në funksion të shfaqjes ishin edhe balerinët, pastaj muzika e Valton Beqirit, skenografia funksionale e Mentor Shalës, e plotësuar mjeshtërisht me skulpturat e Artan Hasanit, asistent regjie ishte Astrit Bytyçi.