Skënderbeu i kompletuar

26 mars 2023 | 20:35

Ilir Muharremi, kritik i artit

Skulptura më madheshtorja e të gjitha kohërave fokusohet në gjestin, dukjen dhe ngjashmërinë. Skënderbeu i skulptorit Gëzim Muriqi paraqitet me një fytyrë serioze të mprehtë, sy seriozë, vështrim ngulitës, hunda kërrut, që bie mbi buzët hollake të mbledhura, mustaqe të rregulluara mirë, mjekër jo e stërgjatur, por e prerë me kujdes. Kjo vepër na shfaqet shumë serioze, teje psikologjike. Shkon tutje pasqyrës së skulpturave që jemi ngopur e stërngopur. Është njerëzor tepër njerëzor. I holluar në çdo detaj me kujdesin më të veçantë prej skulptori. Nëse shikohet mirë nuk është trupmadh, duket si trupmadh, nxjerrja e gjoksit jashtë, simbol i trimërisë, fakteve historike. Mbart veshjen e rëndë kaloresiake mesjetare të detajuar nga skulptori i cili bën hulumtim të kostumografisë. Shihet fustanella shqiptare. Thyerja, lëvijzet draperia peshojnë mbi fizionominë e tij. Mban mburojen me shqiponjë dhe me yllin lartë.

I zbritur nga kali, i çveshur nga çdo lloj petku patetikë, larg hiperbolave, i fokusuar në një plastikë natyrale njerëzore, sepse sado që skulptura zhytet në rrënjët e realizmit klasik, prapë se prapë mbart hijen mesjetare.

Nuk është ai Skënderbe i Paskalit të cilin secili prej nesh e mbanë në zemër dhe në kujtesë. Është një Skënderbe i faktuar nga hulumtimi shkencor i personazhit të filmit të famshëm të Skënderbeut dhe kombinim i disa gravurave. Sakt, tamam për ta zbuluar çdo gjymtyrë anatomike duke u nisur nga balli, sytë, hunda, goja, mjekra, krahërori dhe në tërësi trupi.

Mbas lëvizjes kompozicionale, vet skulptori ndjen në brendësi hijen e Gjergjit. Po të jesh skulptor nga i cili rilindin shumë personazhe, duhet të kesh shpirt prej aktori, t’i ndjesh në shpirt sikur rolet të cilat jetësohen nga një trup e shpirt që nuk ju takon atyre. Shumë i ngushtë është kufiri ndërmjet aktorit dhe personazhit. Skulptori këtu liron zinxhirët e shpirtit lundron e lundron drejt një bote të thellë e të mistershme të cilen vërtet e shpërfaq duke mos anashkaluar faktet shkencore.

Skënderbeu duket si mendimtar, strateg, i thellë në projektet e tij duke kalkuluar rezultatet të cilat i kishin konkluzionet e mira dhe të sakta. Shikimi i tij i thellë që krijon batica dhe zbatica për çdo skulptor ngaqë mendimi nuk shihet, por duhet të shfaqet mbas mimikës të cilën e vërejm.

Skulptura duhet të shtrihet më hapësirën, të komunikoj me arkitekturën përreth, t’i rezistoj klimës, hijeve që do përplasen mbi këtë kompozicion. Skulptori e mendon mirë këtë sepse nga të gjitha anët e vrojtimit optik hija e Gjergjit na sfidon.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skulptori Gëzim Muriqi ka sjellë veprën e tij më të…