Skënderbeu i tragjedisë së Haxhiademit: Një tjetër pavdekësi, por e plagosur
Nga: Visar Zhiti
Dua të marr ndër duar tragjedinë “Skënderbeu” të Etëhem Haxhiademit, ta shfletoj sërish e sërish, sidomos sot …
Vit Skënderbejan, 555 vjet pavdekësi … Prisja një si të kremte të madhe, mbarëkombëtare, me pjesëmarrje nga Evropa të cilën e mbrojti heroikisht; nga bota, historisë së cilës i përket … një Krujë tjetër, sheshe e shtatore të tjera, panteon të tij, mesha … ishte dhe Atlet i Krishtit … akademi, teatër, të ngjitej në skenë Skënderbeu i Haxhiademit … opera, ekspozita, konkurse e konferenca, kolanë botimesh skënderbejane, homazhe dhe fishekzjarrë në qiellin e tij sot.
555 vjetët pavdekësi e madhërishme si një tronditje në heshtje e tokës; 5-5-5 si një trini heroike përkrenaresh, edhe e shenjtë…
Por, unë i besoj letërsisë shumë. Skënderbeun na e lanë plot shkëlqim Barleti dhe Frang Bardhi etj.; e ringjallën De Rada dhe Naimi e At’ Fishta etj. Është e madhe biblioteka skënderbejane dhe shumëgjuhëshe.
Por, unë thashë, do marr një libër në gjuhën e Gjergj Kastriotit, tragjedinë e Etëhem Haxhiademit si për të gjitha këto …
Është një çudi e letrave tona, kam thënë, ka sjellë të paarritshmen nga askush më parë e as më pas. Ka botë dhe kohë, bashkon antikitetin greko-romak dhe klasiken e Rilindjes evropiane, iluminizmin, shekspirizmin me Rilindjen shqiptare duke ringritur ato që shembën shekujt e errësirës, pallatin mbretëror skënderbejan dhe katedralen e shpirtit të kombit.
Na ka sjellë një Skënderbe sa kompleks dhe të qartë si statujat e tij, mbret dhe luftëtar, udhëheqës dhe njeri, i mençur, zemërmadh dhe dinak, i pamëshirshëm dhe falës, i kërcënuar nga jashtë nga armiku i madh, por i kërcënuar dhe nga brenda, edhe nga tirania e vet e mundshme. Në krah ka Donikën mbretëreshë, dinjitoze, mbështetëse, rrezëllitëse si ikonë.
Shpirti i tragjedisë, vetë tragjedia është një grua tjetër: Zanfina, bashkëshortja e gjeneralit të Skënderbeut, e Moisi Golemit, që tradhtoi dhe u kthye prapë, një përzierje e ambicies shtetërore me qëndresën ndaj sindromave të tiranisë, misionar i detyrës dhe kundërdetyrës dhe detyrës prapë etj. Po është Zanfina më në qendër, që frymëzon dhe nxit, që guxon dhe flet. Kur burri i saj tradhton atdheun, ajo guxon dhe zgjedh të mbajë anën e burrit: është e tij, e betuar dhe kur burri kthehet i penduar, ajo e qorton që nuk e çoi deri në fund punën e nisur. Mbase e çon më tej Hamzai, nipi i Skënderbeut … Tragjedia është e gruas, ajo vret veten. Por, dhe e kombit … aty është thelbi universal i vetes, i njeriut.