Skënderbeu kampion dimri, Flamurtari i dyti
Skënderbeu është ekipi që e ka mbyllur i pari në klasifikim renditjen pas 16 javësh të luajtura në Kategorinë Superiore për sezonin 2017-2018.
Korçarët kanë grumbulluar plot 37 pikë dhe kryesojnë me diferencë ndaj rivalëve të tjerë, plot 9 pikë më shumë se vendi i dytë.
Flamurtari konfirmohet forca e dytë e kampionatit, teksa me fitoren ndaj Kamzës shkon në kuotën e 28 pikëve. Laçi i surprizon të gjithë, teksa pas 16 takimesh gjendet në vendin e tretë, me 27 pikë. Kukësi dhe Partizani kanë dalë nga pritshmëria këtë edicion, teksa gjenden përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë, me 25 dhe 24 pikë.
Kamza ka rrëshqitur në vendin e gjashtë, me 23 pikë, teksa në tri javët e fundit ka marrë vetëm humbje. Luftëtari merr ajër në fundin e tabelës. Me fitoren ndaj Kukësit gjirokastriteët ngjiten të shtatët, me 19 pikë. Teuta dhe Vllaznia kanë nga 15 pikë, ndërsa Lushnja mbyll Superioren me vetëm tetë pikë të grumbulluara në 16 javë.