Skënderbeu në kartëmonedhat shqiptare të viteve 1921-1996
Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në kartëmonedhat shqiptare që janë përdoruar në vitet 1921-1996, vjen për herë të parë për publikun dhe vizitorët e shumtë, në Muzeun e Bankës së Shqipërisë që është çelur në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së tij .
Nën siglën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”, ekspozita si pjesë e eventeve në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vit i cili do të kremtojë veprën e heroit deri më 28 Nëntor 2018, prezanton në mënyrë kronologjike prezencën e tij në monedhën e kartëmonedhën shqiptare.
Edhe në ditët e sotme kartëmonedha me vlerën më të lartë monetare (5 mijë lekë) mban portretin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndërsa Banka e Shqipërisë, në vitin 1968 në kuadër të 500-vjetorit të vdekjes së tij, emetoi një set monedhash prej ari dhe argjendi, që Banka i ruan në thesarin e saj.Për herë të parë figura e Skënderbeut dhe emri i tij Skënder është pasqyruar në letër kartëmonedhë në vitin 1921.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë ia kushton ekspozitën figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut të shprehur në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare, prej vitit 1921 deri në vitin 1996 si dhe elemente të ndryshme të shtypit të këtyre prerjeve, shkruan “atsh”.
Ndër të tjera, kjo ekspozitë synon të sjellë në kujtesën e publikut, se ashtu si gjatë Rilindjes Kombëtare, edhe në ditët tona, figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut është personaliteti më i hasur në monedhën kombëtare gjatë rrugëtimit të saj thuajse 100-vjeçar.
Kjo ekspozitë e përkohshme do të qëndrojë e hapur edhe gjatë muajve në vazhdim, ku vizitorët do të kenë mundësi të shohin dhe ekspozitën e përhershme të Muzeut të Bankës së Shqipërisë i cili synon të kthehet në një qendër edukimi të historisë monetare e financiare të vendit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.