SKËNDERBEU PËR 550 VJET SIMBOL I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE

02 shkurt 2018 | 11:16

Jakup Krasniqi

Janë katër çaste të mëdha, katër periudha të historisë shqiptare që Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e kanë ngritur në piedestalin më të lartë të Kombit, edhe pse në atë piedestal nuk duhet të qëndrojë i vetëm, pasi ka edhe personalitete të tjera të mëdha të kombit, të cilat do t’i rrinin përkrah tij dhe të bashkuar do të ishim më të fortë, ndërsa kombi ynë do të ishte më i konsoliduar e më i bashkuar.

Sigurisht që është gjë tepër e mirë që në jubileun e 550-vjetorit të vdekjes së Kryeheroit të Kombit t’ia japim përmasat e lavdisë që i meriton. Dhe i meriton më shumë sesa mund t’i japë kombi ynë, fatkeqësisht i ndarë dhe i përçarë politikisht siç është katandisur sot. Këto përmasa përkujtimi e nderimi, pa dyshim që i meritojnë edhe shumë atdhetarë të tjerë, por, nuk do të ishte mirë që t’i përkujtojmë në përmasat meritore vetëm pas 550 viteve. Kjo do të ishte një temë tjetër e me gjasë edhe në rrethana të tjera, të trajtohej me koka të ftohura e zemra të ngrohta dashurie e respekti kontributi i secilit personalitet, por, kjo nuk mund të bëhet në këtë kohë turbulencash që i ka shkaktuar periudha e stërzgjatur e tranzicionit demokratik në hapësirat e kombit tonë.

Ajo që kam menduar ta them në këtë vit jubilar për Gjergjin e Madh, që në të gjitha epokat na ka mbushur zemrat e mendjet me dashuri e lavdi, me të cilin duhet të ushqehet e të krenohet i gjithë shekulli e kontinenti i Vjetër në të cilin veproi Heroi ynë për njëzet e pesë vjetët e lavdisë, duke u ndeshur me pushtuesin më të madh të asaj kohe – Perandorinë Osmane. Duke e vëzhguar me respekt e dashuri tërë veprën e Skënderbeut, nuk është vështirë për të ardhur në përfundim se janë katër momente kulmore që e kanë bërë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, hero të përgjithshëm kombëtar të këtyre përmasave, këtë vdekatar të pavdekshëm, që rrezaton e imponon respekt e dashuri.

I pari moment i madh i lavdisë se heroit, është vetë epoka e heroit (vitet 1443-1468), e cila ndikoi shumë që Skënderbeu të mbetet ky që është e për të cilin po flasim që gjashtë shekuj. Pa 25 vjetët e luftërave të lavdishme që ai dhe luftëtarët e tij u përballen me sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, të Muratit të Dytë e të Mehmetit të Dytë, Pushtuesit të Kostandinopojës, Stambollit të sotshëm, dhe mbrojtja e shtetit të tij, për aq kohë sa ai e pati fuqinë për ta vërgëlluar shpatën në mbrojtje të lirisë e të atdheut të shqiptarëve. Pushimi i zemrës se tij, më 17 janar 1468, padyshim që ishte humbje e madhe e kohës dhe jo vetëm për shqiptarët dhe evropianët liridashës. Në ato çaste dhimbjeje, shumëkush ishin të bindur se shqiptarët, fshatrat e qytetet kala, fushat e malet e Shqipërisë do të përfaleshin me Lirinë!

Ndonëse këtë njerëzit po e thoshin nga dhimbja e madhe e kohës, por secili ishte i bindur se Shqipëria e shqiptarët kishin humbur udhëheqësin Famëmadh. E momenti ishte vërtet i dhimbshëm. E dhimbja vazhdoi pothuajse për pesë shekuj. Pa atë vepër konkrete nuk do të ekzistonin as dy momentet e tjera të historisë sonë që e fuqizuan namin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe e përjetësuan veprën e tij. I pari është prifti dhe historiani nga Shkodra, Marin Barleti, me veprën e tij famëmadhe: “Historia e jetës dhe e veprës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, botim i viteve 1508-1510, shkruar në gjuhën latine. Vepër kjo që u përkthye në gati të gjitha gjuhët e Evropës e më se voni në gjuhën shqipe (1964)! Merita e Marin Barletit është se ai e bëri të paharrueshëm Skënderbeun dhe Epokën e tij të lavdishme, në Evropë dhe në Shqipëri.

Pse Skënderbeu na ka ardhur në këto përmasa për të cilat po flasim, Barletit i takon një meritë e madhe, dhe për këtë do të duhej të kishte monumente madhështore për atë mendje të ndritur që e bëri më penën e tij Skënderbeun t’i mbijetojë shekujt. Dhe jo vetëm që u mbijetoi shekujve, por e nderuan dhe u përkulen para tij të gjitha sistemet e ideologjitë politike. Pra, për të gjithë ata që qëllim patën dhe e kanë lirinë dhe atdheun, te Skënderbeu gjetën e do ta gjejnë frymëzimin e këtyre vlerave gjithënjerëzore.

Pas këtyre momenteve të mëdha, moment tjetër që rilindi Skënderbeun dhe njëkohësisht kombin shqiptar janë rilindësit, të cilët me Skënderbeun në ballë e sollën frymën dhe jetën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila i sanksionoi tri kërkesa të mëdha të shqiptarizmës: Kërkesën për një komb, për një gjuhë e për një Atdhe (shtet) – Shqipërinë. Këtë periudhe e filloi Jeronim de Rada në Kalabri me veprën “Skënderbeu i pafan” dhe e vazhdoi në Stamboll bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri me veprën e tij, poemën “Histori e Skënderbeut”. Skënderbeu i shekullit XV i bashkoi shqiptarët në luftë kundër Perandorisë Osmane, ndërsa Skënderbeu i shekulli XIX i bëri bashkë shqiptarët e tri besimeve fetare dhe formoi Kombin Shqiptar që më pastaj i vuri themelet e shtetit shqiptar – Shqipërinë, më 28 nëntor 1912.

Momenti i katërt është periudha pas Luftës së Dytë Botërore, kur filloi edhe trajtimi më i veçantë për heroin e përgjithshëm kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Kjo periudhë njohuritë për Skënderbeun i shtriu tek të gjitha shtresat e moshat e kombit. Në këtë periudhë Skënderbeut iu bë trajtimi më meritor në të gjitha zhanret e letërsisë e të arteve pamore, muzikore dhe kinematografi. Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi filmin e parë për Skënderbeun. Ky film bëri që Skënderbeu të ishte i njohur dhe i dashur për shqiptarët e çdo moshe. Në histori, gjithashtu, iu bë një përkujdesje e veçantë, të cilën e pati filluar Fan S. Noli në vitin 1921 kurorëzuar përfundimisht në vitin 1947, dhe pastaj gjithë historiografia shqiptare: Shqipëri-Kosovë duke i kushtuar vëmendje të veçantë epokës së ndritshme të Kastriotit. Trajtimin më serioz Skënderbeu e pati në shkencën e historisë shqiptare, por nuk mungoi as trajtimi i këtij personaliteti edhe nga shkencëtarë të huaj nga Perëndimi e Lindja.

Shkurt, Skënderbeu i shek XV na dha lavdinë e bashkimin e shqiptarëve të kohës së tij për liri e atdhe, derisa në shekullin XIX i bashkoi shqiptarët e tri besimeve që punonin për të tjerët, duke e bërë shqiptarizmën fe e themel të kombit shqiptar. Shekulli XX e trajton gjithanëshmërisht veprën e tij dhe me të drejtë mund të quhet shekulli i ndriçimit të gjithanshëm të veprës së Skënderbeut. Edhe sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një figurë që i bën bashkë gjithë shqiptarët. Mbase 550-vjetori i Skënderbeut – Viti i Skënderbeut – do të vihet në këtë shërbim fisnik për kombin, por kërkohet vullnet i çeliktë i përfaqësuesve të kombit shqiptar, kudo ku ata jetojnë e veprojnë, e sidomos të atyre që janë të veshur me pushtet nga votat e shqiptarëve.

Fryma dhe shpirti skënderbeian, pa dyshim që ishte ushqimi shpirtëror që e edukoi Lëvizjen Kombëtare për Çlirim të Kosovës, iu dha zemër e guxim edhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Legjendarit të saj Adem Jasharit.
Frymë qe i dha gjak e jetë më 17 shkurt 2008 pavarësisë e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Pa dyshim që meritat e pakontestueshme ju shkojnë dhe i kanë të gjithë ata poetë, shkrimtarë, historianë, dramaturgë, kineastë, artistë të arteve pamore, rapsodë me kujtesën popullore ndër vite etj., të cilët me punën, mendjen, dashurinë e përkushtimin e tyre atdhedashës, e shtrinë frymën e atdhedashurisë skënderbeiane në shtresat e gjera të kombit dhe në çdo familje, në çdo shkollë e filiz shqiptare. Sigurisht që para këtyre ideve iluministe të shqiptarizmës së rilindësve tanë, duhet të përkulet çdo shqiptar, që i njeh dhe ushqehet me vlerat e traditës sonë kombëtare. Kjo traditë u bëri ballë dhe u rezistoi mijëvjeçarëve të shumtë të historisë sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behram Hoti (Mal Drenica) Ditar: Ushtria Çlirimtare Kombëtare 1900-2002 me…