Skënderbeu: Do ta provojmë pafajësinë tonë
Është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, lidhur me procedimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit Skënderbeu.
Në këtë seancë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut, të cilët kanë argumentuar mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës së UEFA-s.
Duke marrë në konsideratë natyrën e konfliktit, specifikën që paraqet gjykimi disiplinor në organet juridike të UEFA-s, veçanërisht ekzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organit të akuzës dhe të gjykimit, Klubi i Futbollit Skënderbeu ka bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët ligjorë do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Klubi i Skënderbeut sqaron sportdashësit dhe opinionin publik se procesi gjyqësor për çështjen në fjalë është në fazën fillestare të tij dhe se Klubi i Futbollit Skënderbeu është i gatshëm t’i mbrojë investimet dhe punën disavjeçare në të gjitha shkallët e gjykimit, qofshin ato sportive apo civile.