Skënderbeut i ngrehet përmendore në Tuz të Malit të Zi
Busti i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, do të vendoset edhe në Malësi – komuna e Tuzit, në Mal të Zi.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Niuk Gjeloshaj.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social, Gjeloshaj tha se “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, udhërrëfyesi i kombit shqiptar, kryeheroi dhe frymëzimi ynë i fuqisë dhe trimërisë, krenaria e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve do të vendoset në vendin më të bukur që ka Malësia, në sheshin qendror, që njëkohësisht edhe sheshi do të fitojë emrin ‘Sheshi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’”.
Në tokën e vetë shqiptare, pohoi ai “do të rrijë krenar përballë Bratilës së Ded Gjon Lulit, pranë institucionit më të lartë arsimor, gjimnazit tonë, në rrugën kryesore të qytetit ku gërshetohen shkolla fillore, kopshti, Qendra kulturore-informative Malësia, shtëpia e shëndetit, si dhe së shpejti edhe të stadiumit të ri të qytetit”.
“Në këtë mënyrë, Skënderbeu nderohet duke e respektuar të kaluarën por edhe të shërbej që të jetë aty ku gërshetohen e ardhmja dhe zhvillimi!”, shkroi ai në “Facebook”.
Ndërsa, bëhet me dije se Kuvendi Komunal i Komunës së Tuzit e ka miratuar vendimin për vendosjen e shtatores së Skënderbeut pa asnjë votë kundër.
“Njëjtë sikur në kohën e tij, sikur edhe e meriton, në kuvendin komunal vendimi sot u soll pa asnjë votë kundër e as abstenim, të gjithë në sallë të kuvendit komunal ishin Për – Skënderbeu vjen në vend shqiptar, në tokë shqiptare të qeverisur nga parti shqiptare”, tregoi Gjeloshaj.
Përmendorja e kryeheroit të shqiptarëve, do të realizohet në bashkëpunim me diasporën shqiptare të Malit të Zi.
“Sheshin e financoi kryeqendra e shqiptarëve Tirana, përmendoren do ta realizojmë me diasporën tonë, si projekt të shumëpritur nga ata!”, përfundoi Gjeloshaj.
Ndryshe, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që jetoi gjatë viteve 1405-1468, është personaliteti shqiptar që më së shumti i janë ngritur buste, si shenjë nderimi ndaj lavdisë së tij, ndaj luftës heroike që e kishte bërë në mesjetë për popullin shqiptar kundrejt pushtuesve osmanë, të cilët ishin superfuqia më e madhe e kohës.
Përveç se në kryeqytetet rajonale, si në Tiranë, Prishtinë e Shkup, Skënderbeu ka buste edhe nëpër kryeqendrat më të mëdha botërore.
Gjithashtu, ai është personaliteti që më shumti është shkruar për të, dhe kjo si nga historiografia vendore, po ashtu edhe ajo ndërkombëtare.