Skënderi: Qeveria nuk është duke prodhuar politika efikase ekonomike
Prodhimi i Brendshëm (PBB) i Kosovës ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti dhe se rënia e eksporteve të mallrave kanë shënuar rënie për rreth 11 për qind.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kjo është rritja më e vogël ekonomike nga fillimi i 2021-së, ndërsa më e larta ishte në tremujorin e dytë të këtij viti me 16.32 për qind. “PBB-ja në tremujorin e dytë 2023 shënon rritje reale për 2.02 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak”, ka njoftuar ASK-ja.
Për profesorin e ekonomisë, Nagip Skënderi, qeveria aktuale është duke u ushqyer me propagandë dhe se nuk është duke prodhuar politika efikase. “Kjo qeveri është duke u ushqyer me propagandë ekonomike, pra me disa të dhëna statistikore që nuk përkojnë me realitetin ekonomik që është aktualisht. Qeveria aktuale nuk është duke prodhuar politika efikase ekonomike, sidomos politika fiskale që janë të qëndrueshme që e stimulojnë prodhimtarinë dhe për të gjeneruar vende të reja të punës”, ka thënë Skënderi për “Telegrafin”.
Ai ka theksuar se trendi i rënies ekonomike është duke vazhduar. “Nuk ka investime të cilat gjenerojnë në dobishmërinë ekonomiko-sociale, por kemi një tkurrje të tyre dhe mendoj që trendi i rënies ekonomike është duke vazhduar, edhe pse thuhet se kemi një rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 2 për qind”, ka thënë Skënderi, duke shtuar se vërehet se nuk ka bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës me sektorin privat. “Vërehet se nuk është një bashkëpunim i qeverisë me sektorin privat dhe nuk ka politikë ekonomike që qeveria mund t’i kanalizonte në zhvillimin e biznesit, ku të cilat këto janë të orientuara në subvencione, ku dihet se këto të fundit janë lëmoshë sociale”, ka thënë ai.
Më tutje, Skënderi ka kërkuar që të ndryshohet struktura ekonomike, duke stimuluar prodhimin. “Duhet të ndryshohet fundamentalisht struktura ekonomike, të orientohemi në stimulimin e prodhimit dhe më tepër të stimulohen eksportet”, ka thënë Skënderi.
Profesori universitar, ka thënë se fuqizimi i sektorit privat duhet bërë përmes politikave afatgjate ekonomike, e jo përmes subvencioneve. “Të gjenerohen vendet e punës, të fuqizohet sektori privat duke i ofruar përkrahje jo përmes subvencioneve, por përmes politikave ekonomike të cilat kanë një qëndrueshmëri afatgjate, për të gjeneruar vende të reja të punës”, ka thënë Skënderi.
Pas të dhënave të ASK-së, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar qeverinë Kurti për këtë normë, siç e kanë quajtur ata, të ulët ekonomike.
PDK-ja dhe LDK-ja kanë theksuar se kjo rritje e ulët ekonomike po e degradon çdo ditë e më tepër standardin e jetës së qytetarëve në vend.